Qeveria me një sulm të ri kundër krimit, Fetai do të udhëheqë Këshillin Kombëtar për hetime financiare
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi vendimin për formimin e Këshillit Kombëtar për hetime financiare dhe konfiskim pasurie, si një hallkë shtesë në krye të strukturës koordinuese. Këshillin do ta udhëheqë zëvendëskryetari i Qeverisë për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai.
“Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai do të vazhdojë me mbështetje politike, administrative dhe teknike për punën e Komisionit Kombëtar për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë. Proceset dhe vendimet strategjike që realizohen në mënyrë të vazhdueshme janë dëshmi e përkushtimit të Qeverisë për të ndërtuar kapacitete institucionale dhe për të siguruar kushte për zhvillimin e hetimeve financiare, konfiskimin dhe kthimin e pasurisë, si dhe menaxhimin me pasurinë e konfiskuar”- thuhet në njoftim
Anëtarë të Këshillit të sapoformuar do të jenë ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Drejtësisë, ministri i Financave, Prokurori i Përgjithshëm, Kryetari i Gjykatës së Lartë, udhëheqësi i Zyrës për kthimin e pasurisë, drejtori i Byrosë për Siguri Publike, drejtori i Doganës, drejtori i Administratës së Policisë Financiare, drejtori i Agjencisë për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, si dhe kryetari i Komisionit Kombëtar për hetime financiare dhe konfiskim pasurie.