Autostrada Shkup-Bllacë/ Kasami: Koha e fjalëve boshe ka mbaruar, është koha e punës dhe rezultateve!
Në prag të finalizimit të marrëveshjes për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, së bashku me Izet Mexhiti dhe Bekim Qoku, kanë vizituar nga afër lokacionin ku pritet të fillojnë shumë shpejt punimet për këtë projekt infrastrukturor.
Sipas Kasamit, autostrada e re konsiderohet një projekt strategjik që synon të forcojë lidhjen rrugore mes Shkup dhe Prishtinë, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e qarkullimit të mallrave, zhvillimin e biznesit dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve në të dy anët e kufirit.
Ai theksoi se paralelisht me përmirësimet në pikën kufitare Bllacë, ku tashmë po aplikohet sistemi “hyrje–hyrje me një ndalesë”, po nis edhe faza e ndërtimit të autostradës së plotë.
“Koha e fjalëve boshe ka mbaruar. Tani është koha e punës dhe rezultateve,” u shpreh Kasami, duke e cilësuar projektin si një hap konkret drejt integrimit më të shpejtë ekonomik dhe infrastrukturor mes dy vendeve fqinje.
Sipas tij, përfitimet kryesore të këtij projekti pritet të ndihen në sektorin e transportit, tregtisë dhe turizmit, duke e kthyer korridorin Shkup–Prishtinë në një nyje më efikase rajonale.