Me 40 milionë euro nga BE-ja, Armata e Maqedonisë së Veriut pajiset me radarë, kamera termike dhe mjete transporti
Armata e Maqedonisë së Veriut prezantoi sot në kazermën “Ilinden” në Shkup pajisje të reja ushtarake, të siguruara me financim prej 40 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian përmes Fondit Evropian për Paqe .
Pajisjet janë pjesë e bashkëpunimit me BE-në dhe janë ndarë në tre paketa. Në vend tashmë kanë mbërritur pajisjet nga paketa e parë dhe një pjesë e paketës së dytë, të cilat përfshijnë radarë, kamera termike, automjete transporti, simulatorë, radar 3D dhe sensorë portativë.
Në kuadër të paketës së tretë pritet të arrijnë pajisje për logjistikë, si dhe për njësitë e komunikimit dhe këmbësorisë.
Në prezantimin e pajisjeve morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski dhe ambasadori i Bashkimit Evropian Michalis Rokas.
Ambasadori Rokas theksoi se siguria është një pjesë thelbësore e partneritetit mes Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut, duke kujtuar se në vitin 2024 u nënshkrua partneriteti për siguri dhe mbrojtje. Ai shtoi se pajisjet e prezantuara janë rezultat konkret i këtij bashkëpunimi dhe shprehu bindjen se partneriteti do të vazhdojë për t’u përballur me sfidat e përbashkëta të sigurisë në Evropë.