Aliu u rekomandoi shkupjanëve të mos lëvizin jashtë pa nevojë për shkak të zjarrit në Drislla
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, u rekomandoi shkupjanëve të mos lëvizin jashtë nëse nuk kanë nevojë. Ai theksoi se ndotja gjatë këtyre dy ditëve nuk ka shkaktuar probleme shëndetësore te qytetarët.
Pas zjarrit në deponinë “Drisla”, aparaturat matëse të Ministrisë së Mjedisit Jetësor regjistruan se dje, më 10 shtator, në pikën matëse në lagjen Lisicë është tejkaluar pragu i lejuar i grimcave PM (50 mg/m³), duke u matur 53,3 mg/m³. Në pikën matëse në qendër janë matur 44 mg/m³.
Që nga pasditja e pardjeshme, ajri në Shkup ka marrë erë të fortë gome të djegur pas ndezjes së deponisë “Drisla”, ndërsa mbi qytet ka qëndruar një re e dendur tymi. Era e keqe ndihet edhe sot. Mbrëmë një erë intensive gome e djegur është ndjerë pothuajse në të gjitha komunat e Shkupit, ndërsa tymi irritonte sytë dhe fytin.
“Ajri në Shkup vetëm duket i ndotur, por nuk është alarmant siç po paraqitet”, tha kryeministri Hristijan Mickoski, edhe pse qyteti dy ditë me radhë po mban erë gome e djegur nga “Drisla”.
“Bashkë me Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) analizuam nëse ekziston ndonjë lloj ndotjeje që shkakton dëm për shëndetin e qytetarëve. Era e tymit ndihet dhe nuk është e këndshme. Në këtë moment, ajri nuk është në nivel ndotjeje që shkakton probleme shëndetësore te qytetarët. U rekomandoj qytetarëve të mos dalin jashtë, përveç nëse është e domosdoshme”, deklaroi Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
Drejtori i spitalit, dr. Sinisha Stojanovski, i pyetur nëse ka rritje të pacientëve me probleme të frymëmarrjes, nuk dha përgjigje të saktë, por tha se po vjen një periudhë kur problemet respiratore do të jenë më të shpeshta. Për këtë arsye, të sëmurët kronikë duhet të vaksinohen kundër gripit sezonal dhe vaksinimi të nisë me kohë.
“Po vjen periudha e vjeshtës, prandaj infeksionet e sipërme dhe të poshtme të rrugëve të frymëmarrjes do të jenë të shpeshta. Duhet monitoruar cilësia e ajrit dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë të jemi 24/7 në dispozicion të qytetarëve, që kjo periudhë të kalojë me sa më pak sëmundje serioze të tipit respirator. Supozoj se Ministria e Shëndetësisë për një periudhë të shkurtër do të dalë me rekomandime për të sëmurët kronikë, të cilët do të duhet të vaksinohen kundër gripit sezonal, dhe vaksinimi të nisë me kohë që të mos mbingarkohen ambulancat me pacientë.”, deklaroi mjeku.
Kryeministri Mickoski dje gjithashtu tha se, ndonëse ajri në Shkup duket i ndotur, matjet nuk tregojnë rritje të vlerave toksike.
“Nuk ka parametra të tillë që janë alarmantë. Ashtu duket vizualisht, por kur janë matur parametrat, nuk janë alarmantë. Por është e keqe që kjo po ndodh. Dhe po ndodh për një arsye. Prandaj e bëra pyetjen: kujt i konvenon të ndodhë tani? Kur t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje, do t’ju bëhet e qartë kush dhe pse po e bën këtë.”, tha Mickoski.