Katër të akuzuar për vrasjen në Tetovë, dy për vrasje dhe dy për tentim vrasje
SPB Tetovë ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Tetovës kundër katër personave në lidhje me përleshjen e armatosur e cila mori një jetë dhe u plagosën të tjerë para tre ditësh.
Ndaj një 37 vjeçari që dyshohet të jetë autori i vrasjes, dhe një 15 vjeçari që kishin gjuajtur në drejtim të makinës Golf dhe kishin vrarë një dhe kishin plagosur një tjetër, janë ngritur akuza për veprën penale “vrasje” sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 3, si dhe për armëmbajtje pa leje dhe vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.
Po ashtu, 45 vjeçari nga Tetova dhe 37 vjeçari nga fshati Gajre, dyshohen për “vrasje” në tentativë, armëmbajtje dhe tregti të paautorizuar të armëve si dhe për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, ku, sipas policisë, “R.T. dhe 15-vjeçari, duke përdorur pushkë automatike, i kanë marrë jetën një personi, duke rrezikuar jetën dhe trupin e personave të tjerë, përfshirë një nga të dyshuarit e tjerë”. Mbi automjetin “Golf” ku ndodhej viktima, ata qëlluan me dhjetëra plumba, duke e goditur për vdekje drejtuesin, plagosur rëndë pasagjerin dhe plagosur në këmbë një fëmijë të lindur në vitin 2012.
Megjithëse ishte plagosur, Z.M. së bashku me një person tjetër “nxorën pistoletat dhe filluan njëkohësisht të qëllojnë drejt automjetit që po largohej”, duke plagosur rëndë një person tjetër dhe duke goditur edhe automjetin e një gruaje, siguria e së cilës gjithashtu u rrezikua.
Gjykata ka caktuar masë paraburgimi prej 30 ditësh për të gjithë të dyshuarit. M.T. dhe Z.M. janë në arrati dhe policia ka ndërmarrë masa për gjetjen dhe arrestimin e tyre.
Kujtojmë se kjo ngjarje është zinxhir i disa ngjarjeve për shkak të hakmarrjes mes dy familjeve nga Tetova.