3 zyrtarë shqiptarë nga RMV ndalohen në Qafë-Thanë, nuk lejohen të hyjnë në Shqipëri
Tre zyrtarë nga Maqedonia e Veriut, deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, pretendojnë se sot janë përballur me ndalesë për hyrje në Shqipëri.
Sipas raportimit të TV21, ngjarja ka ndodhur në pikën kufitare Qafë Thanë, ku ata kanë tentuar të hyjnë në territorin shqiptar me pasaporta diplomatike. Ata thonë se janë mbajtur rreth një orë në pritje, pa marrë sqarime nga autoritetet kufitare.
Sipas deklarimeve të tyre, fillimisht u është thënë se tre prej tyre mund të vazhdonin udhëtimin, ndërsa personi i katërt që ishte me ta nuk lejohej të hynte në Shqipëri. Në shenjë revolte, delegacioni vendosi të kthehej, ndërsa më pas, sipas tyre, janë njoftuar se ekzistonte një ndalesë për hyrjen e tyre në Shqipëri.
TV21, duke u thirrur në burime, raporton se ndalesa dyshohet të lidhet me përfshirjen e tyre në organizimin e protestave në Tiranë, të njohura si “Revolucioni Flamingo”.
Kjo lëvizje qytetare nisi në fund të majit 2026 si protestë kundër ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur të Lagunës së Nartës, Zvërnecit dhe projekteve në Ishullin e Sazanit, për t’u shndërruar më pas në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.