Kos: Ndryshimet kushtetuese hap i domosdoshëm për nisjen e negociatave me BE-në
Miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet hapi i domosdoshëm për fillimin formal të negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Këtë e deklaroi komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin Hristijan Mickoski në Shkup.
“Në thelb të procesit të anëtarësimit janë reformat që do të kontribuojnë për një ekonomi më të begatë dhe një standard më të mirë jetese për të gjithë qytetarët. Po shënoni përparim inkurajues dhe duam ta përshëndesim angazhimin e shtuar të Qeverisë në zbatimin e reformave. Por, miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet hapi i domosdoshëm për fillimin formal të negociatave të anëtarësimit. E inkurajoj Qeverinë ta nisë procesin që do të çojë në miratimin e ndryshimeve kushtetuese”, tha Kos.
Ajo vlerësoi se Bashkimi Evropian ka hyrë në një fazë të re të zgjerimit dhe se ekzistojnë mundësi reale që deri në vitin 2028 një vend nga Ballkani Perëndimor të bëhet anëtar i ri i Unionit. Sipas saj, edhe Maqedonia e Veriut ka mundësi të ecë përpara nëse i përmbush obligimet e marra.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për ndërtimin e besimit me Bullgarinë, Kos tha se Bashkimi Evropian funksionon mbi bazën e besimit.
“Besimi është i rëndësishëm, por si do ta ndërtojmë besimin? Nuk ka receta për këtë. Ajo që di është se sa më shumë besim të keni, aq më lehtë do të përparoni në procesin e anëtarësimit. Mund ta ndërtojmë besimin jo vetëm me fjalë të mira, por edhe me vepra të mira, duke shmangur veprimet dhe fjalët që rrisin tensionet, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe duke zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore”, deklaroi komisionerja.
Kos tha gjithashtu se qytetarët dhe bizneset tashmë po ndjejnë përfitimet e afrimit me Bashkimin Evropian, ndërsa përmendi negociatat për heqjen e roamingut, mundësitë përmes programit Erasmus+, qasjen në iniciativat evropiane për inteligjencën artificiale, programet shëndetësore dhe forcimin e sigurisë kibernetike.
Ajo bëri thirrje edhe për konsensus ndërpartiak për Kodin Zgjedhor.
“Për një konsensus të përbashkët ndërpartiak, në mënyrë që të kemi 100 për qind sukses. Kur kjo të ndodhë, do të jetë në interes të shtetit, sepse negociatat e anëtarësimit do të ecin përpara. Agjenda e reformave dhe ajo që po bëni në Planin e Rritjes, nga njëra anë, dhe procesi i anëtarësimit, nga ana tjetër, në një pjesë do të bashkohen. Maqedonia e Veriut atëherë mund t’u bashkohet shumë më shpejt vendeve të përparuara”, u shpreh Kos.
Nga ana e tij, kryeministri Mickoski deklaroi se pret që procesi i integrimit evropian të mbetet i bazuar në kritere të qarta dhe në përmbushjen e reformave, e jo në çështje dypalëshe që, sipas tij, krijojnë pasiguri dhe frustrim te qytetarët. Ai shtoi se vizita e komisioneres është një mundësi për dialog mbi perspektivën evropiane të vendit dhe forcimin e partneritetit me Bashkimin Evropian.