Prej sot publikohen të gjitha shpenzimet nga Buxheti në periudhë zgjedhore
Ministria e Financave ka njoftuar se, duke respektuar dispozitat e Kodit Zgjedhor, nga sot në faqen e saj zyrtare do të publikohet një bazë e veçantë të dhënash për shpenzimet buxhetore gjatë periudhës zgjedhore.
Sipas këtij detyrimi ligjor, nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve deri në përfundimin e tyre, në këtë bazë do të publikohen të gjitha pagesat nga Buxheti, përveç atyre të rregullta për paga, pensione dhe shpenzime komunale.
“Transparenca e shpenzimeve buxhetore në periudhë zgjedhore është një detyrim ligjor dhe një garanci për opinionin publik mbi mënyrën e përdorimit të parave të qytetarëve”, thekson Ministria e Financave në komunikatë.
Gjithashtu, dy javë pas shpalljes së zgjedhjeve, ministria ka detyrimin të dorëzojë edhe raportin financiar parazgjedhor, i cili përfshin të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e planifikuara dhe të realizuara nga fillimi i vitit fiskal deri në ditën e paraqitjes së raportit. Ky dokument do të publikohet po ashtu në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave.
Kujtojmë se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, më 9 gusht 2025 shpalli zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor.