Von der Leyen sot në Shkup për takime me krerët e shtetit
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shkup, në kuadër të turneut të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Siç njoftoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, Von der Leyen do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryeministrin Hristijan Mickoski, pas të cilit do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media në Qendrën Mediatike të Qeverisë.
Në prag të vizitës së Von der Leyen, kryeministri Mickoski përsëriti në një deklaratë për mediat se Qeveria është e gatshme për bisedime dhe për gjetjen e një zgjidhjeje. Ai hodhi poshtë akuzat e opozitës se Qeveria po e pengon rrugën e integrimit evropian duke mos i hapur, përkatësisht duke mos i pranuar ndryshimet kushtetuese.
“Qëndrimi ynë është i qartë, argumentet tona janë të qarta. Jemi të gatshëm të bisedojmë, të debatojmë dhe, në fund të ditës, të gjejmë një zgjidhje”, theksoi Mickoski.
Von der Leyen do të takohet edhe me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova në Vilën Vodno. Në takim do të diskutohet për perspektivën evropiane të vendit dhe të rajonit, si dhe për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Pritet që në takime të diskutohet edhe për problemin me Bullgarinë dhe mundësitë për tejkalimin e tij.
Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, deklaroi para vizitës së Von der Leyen se Maqedonia dëshiron të gjendet një zgjidhje me Bullgarinë që do të sigurojë parashikueshmëri në procesin e integrimit evropian.
Ai tha se institucionet evropiane dhe disa vende anëtare të BE-së kanë vullnet për të ndihmuar në intensifikimin e angazhimit të ndërsjellë dhe për të krijuar hapësirë për diskutim.
Megjithatë, Mucunski theksoi se qëndrimet e vendit janë plotësisht të qarta dhe se, në këtë moment, nuk ekzistojnë kushte për ndryshime kushtetuese, për shkak të mënyrës se si pozicionohet Bullgaria.