Treni Shkup – Kumanovë: Pak e presin, shumë vonohet
Në shkurt të këtij viti u lëshua me entuziazëm.
“Sot niset treni i parë prej Shkupit për Kumanovë…”, lajmëroi atëherë Ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski.
Treni Shkup–Kumanovë, u promovua si alternativë moderne, e shpejtë dhe ekologjike për udhëtim, por sot, vetëm disa muaj më vonë, realiteti flet ndryshe.
SHIKO VIDEON NË FACEBOOK:
Vetëm dy linja në ditë, vonesa deri në 30 minuta, dhe stacione pothuajse bosh. Qytetarët thonë se edhe gjysma e atyre që zgjedhin këtë alternativë udhëtimi, ikin pasi nuk kanë durim të presin.
“Treni është i mirë, por nuk është i rregullt. E përse nuk është i rregullt, atë e dijnë politikbërësit. Do të udhëtonim më shumë, vetëm të jetë më i rregullt dhe të ketë më shumë linja.. Momentalisht nuk është e kënaqshme, por çfarë të bëjmë”, deklaroi një qytetar për VOXAL.
“Tani pas një kohe të gjatë. U vonua sot, prita gjysmë ore. Nuk e di çfarë të them, ndoshta sepse nuk janë të rregullt, prandaj nuk shkojnë”, tha një qytetare tjetër.
Edhe ekipi i VOXAL, kur vendosi të udhëtonte me këtë linjë, u përball me një pritje prej rreth 30 minutash.
Fillimisht në tabelë shkruhej se treni për Kumanovë po nisej…
Pak çaste më vonë, emri u zhduk, bashkë me shpresën e disa udhëtarëve që u larguan.
Por pas gjysmë ore pritjeje… treni më në fund mbërriti.
Në një kohë kur Evropa investon në linja të shpejta, të sakta dhe të gjelbra, te ne treni lëviz ngadalë, jo vetëm fizikisht, por edhe si ide.
