Të angazhuarit me kontrata në NP “Parqe dhe Gjelbërim” tre muaj pa rroga
Punonjësit e NP “Parqe dhe Gjelbërim” të angazhuar me kontrata nëpërmjet agjencisë private, ankohen se nuk kanë marrë rrogën e muajit qershor dhe korrik.
Një person i angazhuar në këtë ndërmarrje, që është nën kompetencat e Qytetit të Shkupit, e i cili mbetet anonim për shkak pasojave që mund t’i ketë, është ankuar në rrjetet sociale dhe thotë se nuk kanë marrë kompensim për tre muaj.
“Qe tre muaj jena pa rroga te NP – Parqe dhe Gjelbërim. Jemi të angazhuar përmes Agjencisë. Kjo është mjerim çka i bëjnë këtij populli”, ka shkruar një i punësuar me kontratë në vepër në Ndërmarrjen Publike “Parqe dhe Gjelbërim”.
Ndërkohë, pa rroga dhe pa sigurim shëndetësor për muajin qershor dhe korrik u lanë edhe dy ndërmarrje të tjera simotra të themeluara nga NP – Parqe dhe Gjebërim; “Florakom” dhe “Luna”. Punëtorët e këtyre ndërmarrjeve para disa ditësh dolën me tenda për të protestuar dhe kërkonin për t’iu paguar haku. /VOXAL/