MPB: Ja çfarë duhet të dinë nxënësit që aplikojnë në Shkollën e Mesme Policore
Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me sqarime shtesë për nxënësit që synojnë të regjistrohen në Shkollën e Mesme Policore, duke saktësuar procedurën e aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm.
Nga MPB bëjnë të ditur se të gjithë kandidatët duhet t’i dorëzojnë dokumentet e kërkuara në origjinal ose si kopje të noterizuara.
Njëkohësisht, ministria thekson se nxënësit që kanë përfunduar vitin e parë dhe të dytë të arsimit të mesëm nuk duhet të çregjistrohen nga shkollat ku aktualisht vijojnë mësimin gjatë procesit të aplikimit dhe përzgjedhjes.
“Me kandidatët e pranuar, përkatësisht me prindin, kujdestarin ose përfaqësuesin e tyre ligjor, Ministria e Punëve të Brendshme do të lidhë kontratë për shkollim. Me këtë kontratë do të rregullohen edhe procedurat dhe detyrimet ndaj shkollës ku kandidati ka ndjekur vitin e parë dhe të dytë”, njoftojnë nga MPB.
Sqarimi vjen pas shpalljes së konkursit për regjistrimin e nxënësve në Shkollën e Mesme Policore, me qëllim që kandidatët të mos ndërmarrin veprime të panevojshme, siç është çregjistrimi nga shkolla aktuale, para përfundimit të procedurës së përzgjedhjes.