Shteti kurseu 115 milionë euro, “shpëtoi” nga padia për rastin “Kazandoll”
“Dua të informoj për aktgjykimin e marrë në procedurën e arbitrazhit ‘Kazandoll’, ku shteti ishte i paditur nga disa investitorë. Kërkesa e tyre ishte dëmshpërblim prej 115 milionë euro, por me krenari mund të them se e fituam këtë rast. Të gjitha 11 bazat mbi të cilat ishte paditur shteti u hodhën poshtë dhe u kursyen 115 milionë euro. Vendimi është tërësisht në favorin tonë, ndërsa rasti nuk ishte aspak i lehtë”, – deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolovski në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.
Ai shtoi se pret që shteti të fitojë edhe të paktën dy raste të tjera të arbitrazhit.
“Këto janë procese të mbyllura dhe deri në shpalljen e vendimit nuk mund të jepen detaje. Procedurat janë shumë të ndërlikuara. Por, nëse vazhdon ky trend, dhe unë jam i bindur se do të vazhdojë, atëherë organet kompetente duhet seriozisht të merren me mënyrën se si janë hapur arbitrazhet dhe si ishim bindur se Maqedonia do të humbte qindra miliona euro, e ndonjëherë edhe miliarda. Por ja që nuk i humbi. Ky rast ishte mbyllur në dhjetor 2023, ne e rihapëm sepse kishte hapësirë dhe e fituam”, – shpjegoi Nikolovski.