Prokuroria kërkon paraburgim për 3 të rritur dhe një të mitur. Këto janë detajet e incidentit të armatosur në Tetovë
Prokuroria Publike ka propozuar masën e paraburgimit për tre të rritur dhe një të mitur, të cilët dyshohen për të shtënat në Tetovë.
I dyshuari i parë, hetohet për veprat “Vrasje”, më pas “Prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar i armëve dhe lëndëve shpërthyese” dhe për “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”
Për të njëjtat vepra, si bashkëpunëtor, është i dyshuar edhe një fëmijë, për të cilin është hapur procedurë në përputhje me Ligjin për Drejtësinë për Fëmijët.
Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore është lëshuar edhe kundër dy personave të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë për veprën penale “Vrasje (në tentativë)”, si dhe për “Prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar i armëve dhe lëndëve shpërthyese” dhe “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”
Më 10 gusht, në rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, i dyshuari i parë dhe fëmija, i lindur në vitin 2010, me dashje, si bashkëpunëtorë dhe duke përdorur armë zjarri – pushkë automatike që janë të ndaluara për qytetarët – i morën jetën një personi dhe vunë në rrezik jetën edhe të personave të tjerë, përfshirë edhe një nga të dyshuarit e tjerë.
“Me pushkët automatike ata qëlluan disa herë drejt automjetit “Golf”, duke goditur personin që tani është i vdekur, i cili ndodhej në vendin e shoferit. Dy plumba përfunduan në kraharorin e pasagjerit, i cili mori lëndime të rënda trupore me rrezik për jetën. Një plumb përfundoi në kofshën e djathtë të një fëmije të lindur në vitin 2012, i cili ndodhej pranë vendngjarjes. Pas kësaj, i dyshuari së bashku me fëmijën në kundërshtim me ligjin u larguan nga vendi i ngjarjes” thonë nga Prokuroria.
Megjithëse ishte i plagosur nga të shtënat, i dyshuari i dytë dhe një person tjetër nxorën armë zjarri – pistoleta – dhe filluan të qëllonin njëkohësisht drejt automjetit që po largohej, duke goditur një tjetër person, i cili mori lëndime të rënda në pjesën e kraharorit. Plumba të tjerë përfunduan edhe në automjetin e një gruaje, duke rrezikuar sigurinë e saj.