Posta e shtetit me 5 milionë euro humbje, postat private konkurrence jolojale
Nikollçe Ugrinov, zëvendësdrejtor i Postës së Maqedonisë, në emisionin “Biznis 21” në TV21 tha se në vitin 2025, Posta regjistroi humbje prej 5 milionë eurosh.
“Vitin 2025 e përfunduam me humbje prej rreth 5 milionë eurosh. Dhe nuk ka dallim nga viti 2024. Kjo humbje rritet nga muaji në muaj”, tha Ugrinov.
Sa i përket vonesës së dërgesave, Ugrinov tha se ato nuk vonohen aq sa paraqitet në media.
“Ka ankesa ditore nga rreth 10 qytetarë, ose në muaj rreth 240 ankesa”, deklaroi Ugrinov.
Poashtu, ai vlerëson se postat private janë konkurrencë jolojale pasi që vetëm 2-3 plotësojnë kushtet për punë dhe të tjerat duhet të mbyllen. Ugrinov tha se këto posta punojnë pa letra fiskale dhe dëmtojnë Postën e Maqedonisë dhe buxhetin me praktika të padrejta.
“Shteti është humbësi më i madh këtu, sepse të gjithë e dini parimin: Alo, Nikollçe, unë jam para ndërtesës, dil të ta jap dërgesën. Shkon, do të hapë një i panjohur dritaren e një furgoni. Firmos këtu që e ke marrë dërgesën, më jep 150 denarë. Kush ka mbikëqyrje të atyre 150 denarëve? A ka kupon fiskal, siç e japim ne? Nga tridhjetë e ca posta private në Maqedoni, sipas informacioneve të mija, janë 2-3 që i plotësojnë kushtet për punë. Të gjitha të tjerat janë për t’u mbyllur”, deklaroi Ugrinov, duke shtuar se për këtë tashmë është njoftuar qeveria dhe se priten masa konkrete.