Policia shkatërron rrjetin e kamataxhinjve që zhvatën qytetarët mbi 2 milion euro
Pas njoftimit të djeshëm për arrestimin e 11 personave të dyshuar për kamatë dhe pastrim parash, sot Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar detaje të reja tronditëse për mënyrën se si funksiononte rrjeti kriminal që për vite me radhë zhvaste qytetarë të Shkupit, raporton VOXAL.
Sipas MPB-së, grupi ka vepruar që nga fillimi i vitit 2022 dhe ishte i organizuar në mënyrë piramidale, ku secili anëtar kishte rol të caktuar – disa jepnin para me interes, të tjerë mblidhnin borxhet ose blinin pasuri për të fshehur origjinën e parave.
Hetimet kanë zbuluar se qytetarët në nevojë financiare merrnin hua me interes të lartë, nga 5 deri në 15 për qind në muaj, ndërsa për çdo vonesë në pagesë, kamata rritej automatikisht. Në rastet kur borxhi nuk shlyhej në kohë, të dyshuarit kërcënonin viktimat, duke i detyruar të nënshkruanin kontrata të rreme ose t’u kalonin prona e pasuri personale në emër të ndonjërit nga anëtarët e grupit.
Në disa raste, paratë janë marrë direkt nga viktimat, ndërsa në të tjera janë transferuar përmes llogarive bankare, për të krijuar përshtypjen e një transaksioni ligjor. Sipas policisë, fitimet e paligjshme më pas janë përdorur për blerje të pasurive të paluajtshme, automjeteve luksoze dhe për financimin e jetës së shtrenjtë të pjesëtarëve të grupit.
Në total, grupi dyshohet se ka përfituar mbi 125 milionë denarë (rreth 2 milionë euro) nga veprimtaria e paligjshme.
Një nga të dyshuarit kryesor, B.K. (35), është ende në arrati, ndërsa Prokuroria për Krim të Organizuar ka paralajmëruar masa të reja arresti dhe hetime të zgjeruara për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me grupin.
Policia njofton se disa prej viktimave tashmë kanë dëshmuar për shantazhet dhe presionin që u është ushtruar, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar vëllimin e plotë të dëmit financiar që u është shkaktuar qytetarëve.
Në vazhdim pamje nga pasuria e paligjshme e kamataxhinjve./VOXAL/
<iframe src=”https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=476&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Freel%2F2037151053699514%2F&show_text=true&width=268&t=0″ width=”268″ height=”591″ style=”border:none;overflow:hidden” scrolling=”no” frameborder=”0″ allowfullscreen=”true” allow=”autoplay; clipboard-write; encrypted-media; picture-in-picture; web-share” allowFullScreen=”true”></iframe>