MASHTRIMET FINANCIARE NË POLLOG: Qytetarët humbën mbi 34 milionë denarë
Mashtrimet financiare po shënojnë rritje shqetësuese në rajonin e Pollogut, ku vetëm gjatë periudhës së fundit qytetarët kanë humbur mbi 34 milionë denarë, si pasojë e veprimeve mashtruese të organizuara dhe gjithnjë e më të sofistikuara. Target më u lehtë janë qytetarë të moshave dhe profileve të ndryshme, të cilët kanë rënë pre e mashtrimeve përmes telefonatave, rrjeteve sociale, platformave online apo ofertave të rreme për investime dhe fitime të shpejta. Autoritetet bëjnë të ditur se mashtruesit zakonisht prezantohen si përfaqësues institucionesh shtetërore, banka, kompani financiare apo platforma investimi, duke fituar besimin e qytetarëve përmes informacioneve të rreme dhe presionit psikologjik. Në shumë raste, qytetarëve u kërkohet të japin të dhëna personale, bankare apo të kryejnë transferta parash, të cilat më pas rezultojnë të pakthyeshme. Rasti më I ri është regjistruar të shtunën kur një 45 vjeçar nga rrethina e Tetovës ka denoncuar në polici se është mashtruar nga një person nga Tetova për shumën prej 1.000 euro.
“Sipas denoncimit, ai ishte marrë vesh me personin i cili është përgjegjës në një firmë për punimin e dyerve dhe i ka dhënë paratë si kapar. Siç është denoncuar, shërbimi nuk është kryer, ndërsa i denoncuari pas kësaj ka qenë i paarritshëm në telefon. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit”, njofton zëdhënësi i SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Krahasuar me vitin 2024, në vitin e kaluar (2025) mashtrimet kanë shënuar një rritje prej 54 përqind, respektivisht gjatë vitit 2025 janë regjistruar 60 raste të mashtrimit, ndërsa në vitin 2024 kishte vetëm 39 raste.
“Në 44 raste, autorët janë identifikuar, ndërsa 16 raste të mashtrimit janë në kryer nga persona ende të panjohur. Për këto vepra janë ngritur kallëzime penale për 66 persona”, bëjnë të ditur nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë. Nga ana e policisë theksohet se këto forma mashtrimi janë të organizuara mirë dhe shpesh përfshijnë persona që veprojnë nga vende të ndryshme, gjë që e vështirëson zbulimin dhe ndjekjen e autorëve. Megjithatë, janë duke u zhvilluar hetime intensive për identifikimin e personave përgjegjës dhe zbardhjen e plotë të rasteve të raportuara. Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm, të mos bien pre e premtimeve për përfitime të shpejta dhe të mos ndajnë informacione personale apo financiare me persona të panjohur. Nga Policia e Tetovës thonë se kryesisht mashtrimet bëhen përmes rrjeteve sociale, ndërsa cak janë personat më në moshë që nuk arrijnë të detektojnë se bëhet fjalë për mashtrim.
“Sektori për Krim Kibernetik apelon deri tek qytetarët të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm gjatë komunikimit me persona të panjohur që ofrojnë këshilla financiare për fitime përmes internetit. Asnjëherë mos instaloni aplikacione për qasje në distancë me kërkesë të të panjohurve dhe kini kujdes nga thirrjet nga numra telefoni të panjohur ose të dyshimtë. Në rast dyshimi për mashtrim, menjëherë kontaktoni bankën tuaj dhe denonconi rastin në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, thotë zëdhënësi i SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Çdo rast i dyshimtë, sipas autoriteteve, duhet të raportohet menjëherë në polici, me qëllim parandalimin e dëmeve të mëtejshme dhe mbrojtjen e qytetarëve. (koha.mk)