Kontrolle urgjente në spitalet private pas informacioneve se po bëhen operacione të panevojshme për përfitim financiar
Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar kontrolle të menjëhershme dhe të jashtëzakonshme në spitalet private pas informacioneve që dolën në publik se janë kryer operacione për përfitim financiar.
“Bazuar në informacionet që janë ndarë me publikun, Ministria e Shëndetësisë tashmë është duke u koordinuar për verifikimin e pretendimeve, si dhe për kryerjen e kontrolleve urgjente dhe të jashtëzakonshme me qëllim marrjen e një pasqyre të plotë. Për më tepër, ministri Azir Aliu tashmë ka paralajmëruar se digjitalizimi i plotë i sektorit shëndetësor përfshin edhe shkëmbimin dypalësh të informacionit mes institucioneve publike dhe private shëndetësore përmes sistemit ‘Termini im’. Vetëm atëherë do të kemi një pasqyrë të qartë edhe për keqpërdorimet eventuale të sistemit dhe të mjeteve financiare”, thanë nga Ministria, pasi në publik u paraqitën pretendime serioze për ndërhyrje mjekësore të panevojshme.
Nga Ministria theksojnë se në shëndetësi ekzistojnë standarde profesionale të përcaktuara qartë, protokolle dhe procedura ligjore, si dhe trupa kompetente përgjegjëse për zbatimin e tyre, ndërsa respektimi i integritetit profesional të punonjësve shëndetësorë është i detyrueshëm, njësoj si respektimi i të drejtave të pacientëve.
“Vendimet për trajtimin bazohen në indikacionet klinike, por edhe në të drejtën për një mendim të dytë profesional. Pacientët duhet të ndihen të inkurajuar të bëjnë pyetje, të kërkojnë sqarime dhe, nëse kanë dilema, të kërkojnë mendim të dytë – kjo është pjesë e praktikës së mirë mjekësore”, thanë nga Ministria.
Ata shtojnë se sistemi shëndetësor bazohet në besim dhe për këtë arsye çdo komunikim publik duhet të jetë i matur dhe i bazuar në informacione të verifikueshme, pa spekulime dhe pa barazuar raste individuale me të gjithë sistemin.
“Sigurisht që secili ka të drejtën e mendimit të tij, veçanërisht nëse është i mbështetur me fakte të argumentuara, por gjithashtu mendojmë se është e nevojshme të shmangen deklaratat që çojnë në përgjithësime dhe sensacionalizëm”, thanë nga Ministria.
Ky reagim i Shëndetësisë erdhi pasi disa media transmetuan deklaratën e kardiologut Sashko Kedev se po kryhen ndërhyrje kirurgjikale të panevojshme mbi pacientë, me qëllim përfitimin financiar.