DASh përmend presionin ndaj mediave në Raportin për Maqedoninë e Veriut
Nuk ka pasur ndryshime të konsiderueshme në gjendjen e të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit, por janë vërejtur kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, përfshirë dhunë dhe kërcënime me dhunë ndaj gazetarëve. Kjo thuhet në përmbledhjen e Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2024.
Në pjesën për lirinë e medias, duke iu referuar raporteve të organizatave qytetare, theksohet se liria e shprehjes është minuar përmes padive strategjike kundër gazetarëve, sjelljes së papërshtatshme të nëpunësve publikë në ndërveprimin e tyre me gazetarët, presionit të tepruar mbi gazetarët që hetojnë korrupsionin, dezinformatave, gjuhës së urrejtjes në internet dhe rrjete sociale, si dhe autocensurës.
Në raport përmendet gjithashtu se Qeveria ka ndërmarrë hapa për identifikimin dhe ndëshkimin e zyrtarëve që kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe se në përgjithësi ka respektuar të drejtën e garantuar me Kushtetutë të lirisë së shprehjes dhe të medias.
Megjithatë, dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve theksohen si çështje të rëndësishme, dhe përmenden raste konkrete kërcënimesh ndaj gazetarëve Lepa Xhundeva dhe Furkan Saliu.
“Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) raportoi disa incidente dhune dhe ngacmimi ndaj gazetarëve. ShGM-ja vuri re një rritje të veçantë të dhunës dhe ngacmimit ndaj gazetareve,” thuhet në Raportin e Departamentit të Shtetit.
Në raport përmendet edhe miratimi në shkurt i ndryshimeve të Ligjit për Shërbimet Mediatike Audiovizuale, me të cilat u lejua reklamimi i fushatave me “interes të lartë publik” të paguara nga Qeveria përmes radiodifuzerëve komercialë, gjë që ngjalli shqetësim te shoqatat e pavarura të medias, të cilat e interpretuan këtë si kthim drejt korrupsionit të përhapur në media dhe klientelizmit.
Në një pjesë të veçantë të raportit përmenden censura dhe kërcënimet me padi ndaj gazetarëve nga përfaqësues qeveritarë.
“Shpifja dhe fyerja ishin kundërvajtje civile dhe ligjet përkatëse zbatoheshin. Qeveria dhe individë përdorën kërcënime në bazë të Ligjit Civil ose Penal për të kufizuar debatin publik ose për t’u hakmarrë ndaj gazetarëve, kritikëve ose kundërshtarëve politikë. ShGM-ja publikoi se deri më 20 shtator, katër gazetarë kanë qenë objekt i padive strategjike (SLAPP), të paraqitura gjatë vitit nga Ministria e Punëve të Brendshme, drejtori i TV Kanal 5, anëtarë të organizatave fetare, politikanë dhe biznesmenë. Nga viti 2021 deri më 17 shtator, Shoqata e Gazetarëve ka regjistruar 25 kallëzime penale për abuzim ndaj gazetarëve,” thuhet në Raport. /360Stepeni/