Bujar Osmani paralajmëron mekanizma për efikasitet “Çair 48” dhe tabelë publike
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sot para ndërtesës së komunës foli për joefikasitetin dhe mosfunksionimin e shërbimeve komunale për të cilat tha se janë hallet kryesore të banorëve të këtij vendi.
Osmani prezantoi një pako mekanizmash si tabelë publike me plan javor dhe status të detyrave, projekti “Çair 48” për përgjigje/zgjidhje të raportimeve brenda 48 orëve, e marta si “ditë e hapur” pa nevojë për prenotim, ekip komunal i shpejtë dhe kalendar publik i takimeve dhe vendimeve të komunës.
“Kjo ndërtesë prapa meje do të bëhet fabrikë për zgjidhje të problemeve, e jo magazinë për arsyetime. Prej ditës së parë që do të zgjidhem kryetar komune, këtu do të ketë një tabelë publike në të cilën do të vendosen planet detyrat dhe afatet. Çdo detyrë, do të ketë afat të caktuar. Dhe vendosim konceptin “Çairi 48” që do të thotë se çdo qytetar pas paraqitjes së problemit, brenda 48 orëve mer zgjidhje, ose përgjigje për problemin. Është koha që puna të shihet e jo të arsyetohet.
Prandaj, ditën e parë pas zgjedhjeve:
• Në 07:30 do të kemi brifing të mëngjesit me shërbimet dhe plan pune të shpallur publikisht për ditën;
• Para hyrjes vendosim tabelën e punës me qëllime javore dhe status: çfarë ka filluar, çfarë ka përfunduar, çfarë vonohet dhe pse;
• Fillohet ‘Çair 48’: çdo ankesë për gropë, ndriçim, mbeturina apo pikë të pasigurt merr zgjidhje/përgjigje brenda 48 orëve;
• Hapet dita e hapur e kryetarit çdo të martë, pa takim paraprak;
• Aktivizohet ekipi i shpejtë komunal për riparime dhe pastrime urgjente;
• Vendoset kalendar publik çdo takim, kontroll në terren dhe vendim i imi do të jetë i dukshëm”, deklaroi Bujar Osmani.
Në fjalimin e tij, Osmani paralajmëroi edhe brifingje të mëngjesit me shërbimet, çdo ditë pune në orën 07:30, dhe publikim të planit të detyrave të ditës.