
Nexhmedin Sadiku: Likova meriton ujë të pijshëm, zhvillim dhe respekt
Kandidati për kryetar të Komunës së Likovës nga VLEN, Nexhmedin Sadiku, tha sot se kjo komunë ka qenë e lënë pas dore për më shumë se 20 vite nga qeverisja e BDI-së, ndërsa ai premtoi investime konkrete dhe sigurim të kushteve elementare për jetesë.
“Komuna jonë, e cila i dha më së shumti shqiptarisë atëherë kur kishte nevojë, mori më së paku në më shumë se 20 vite keqqeverisje të BDI-së. Likova u bë shembull i pabarazisë në zhvillim, i ndarjes së padrejtë të buxhetit, i neglizhencës e i papërgjegjësisë,” deklaroi Sadiku.
Ai theksoi se për vetëm një vit në Qeveri, VLEN ka dëshmuar se Likova nuk mbetet pas dore.
“Qeveria financoi me 1,8 milionë euro rrugën Orizare – Sllupçan, ndau 30 milionë denarë për rikonstruimin e rrugës Gllazhnje – Gushincë dhe mbi 110 milionë denarë për rrugë lokale në Likovë, Nikushtak, Vaksincë dhe Sllupçan. Financuam edhe terrene sportive e projekte ujore në Orizarë,” tha Sadiku.
Kandidati i VLEN-it premtoi se prioriteti i tij i parë pas zgjedhjes do të jetë furnizimi me ujë të pijshëm.
“Me mbështetjen e Qeverisë, do të sigurojmë ujë të pijshëm për çdo familje brenda vitit të parë të mandatit tim. Secili qytetar i Likovës meriton dinjitet, jo mungesë të ujit elementar, edhe atë në Likovën e dy pendave,” u zotua ai.
Sadiku paralajmëroi gjithashtu përmbylljen e kanalizimit, pastrimin e deponive dhe tokës nga arseniku, si dhe krijimin e kushteve për investime dhe punësim.
“Të sjellim zhvillim, të përkrahim bujkun, blegtorin, arsimtarin dhe të krijojmë kushte jete në Likovë. Duhet ta ndalim migrimin masiv dhe ta mbajmë rininë në vend,” tha kandidati për kryetar.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që më 19 tetor të vendosin për ndryshim:
“Ju i keni parë këta që ishin 20 vjet, na keni parë edhe neve. Ju dini të bëni dallimin mes të mirës dhe të keqes. Ky është kombinimi me të cilin Likova fiton,” përfundoi Nexhmedin Sadiku.