Dogana kap 4.577 copë barnash të pasigurta
Në pikën kufitare Bogorodicë, doganierët zbuluan dhe penguan një tentativë për kontrabandë të 4.577 copë barnash të pasigurta, të fshehura në bagazhin e një automjeti të marrë me qira. Kundër një personi, shtetas i Kosovës, Departamenti i Hetimeve në Sektorin e Kontrollit dhe Hetimeve ka paraqitur kallëzim penal për veprën penale “kontrabandë”.
Siç njoftojnë nga Drejtoria e Doganave, bëhet fjalë për analgjetikë, anestezikë dhe solucione kundër alergjisë në shishe qelqi, të cilat ishin në gjendje të lirë, pa paketimin origjinal, si dhe pa lejet dhe certifikatat përkatëse nga institucionet kompetente. Për të shmangur kontrollin doganor, personi i kishte radhitur barnat dhe i kishte fshehur mes jastëkëve për qafë, të vendosur në tre kuti kartoni.
Ky lloj transporti përbën rrezik për qytetarët, pasi barnat që nuk janë të deklaruara, të magazinuara, të transportuara dhe pa certifikatat përkatëse, mund të paraqesin rrezik serioz për shëndetin.
Pas reagimit të shpejtë të inspektorëve, të cilët punuan në këtë rast gjatë 24 orëve të fundit, është paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Gjevgjelisë, e cila ka urdhëruar sekuestrimin e barnave.
Drejtoria e Doganave njofton se do të vazhdojë me kontrolle të shtuara në pikat kufitare, me qëllim parandalimin e kontrabandës së barnave dhe mbrojtjen e shëndetit publik./VOXAL/