Në “Termini Im” do të ndiqet zhvillimi i fëmijëve, shërbimi i patronazhit dhe shëndeti i punëtorëve
Ndjekja e zhvillimit të fëmijës, mbështetja për shërbimin e patronazhit, kontrollet nga fusha e mjekësisë së punës për punonjësit dhe portali për punëdhënësit janë disa nga risitë që Ministria e Shëndetësisë i shton në sistemin kombëtar për evidenca elektronike në shëndetësi, të njohur si “Termini Im”, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Por, përderisa ky sistem po përmirësohet si pjesë e digjitalizimit në shëndetësi, mjekët amë edhe më tej e kanë shumë të vështirë të gjejnë termine të lira për kontrolle specialistike, ndërsa pacientët ankohen se nuk mund të kryejnë kontrolle ose t’i marrin barnat e nevojshme sepse “bie” sistemi.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se qëllimi kryesor i reformës që do të bëhet është që të krijohet një sistem më i thjeshtë, më i shpejtë dhe më i qasshëm. Kjo do të thotë thjeshtëzim i proceseve si për pacientët që caktojnë kontrolle, ashtu edhe për punonjësit shëndetësorë të cilët, krahas kontrollit i kryejnë edhe procedurat administrative.
“Për momentin po bëhet hartëzim i të gjithë infrastrukturës së vendit dhe nga institucionet shëndetësore publike ne kërkojmë një përshkrim të nevojave, kapacitetit kadrovik dhe teknologjisë, pas çka do të përgatitet një analizë e detajuar pas së cilës do të pasojë një sistem me zgjidhje reale, një sistem i lidhur me “Termini Im” dhe protokolle të definuara qartë për udhëzimin e pacientëve nga mbrojtja shëndetësore primare në atë sekondare dhe terciare. Qëllimi është që të kemi indikatorë të qartë për secilin mjek, nëse i ofron shërbimet që duhet t’i ofrojë në mbrojtjen shëndetësore primare dhe në atë terciare, apo vetëm i udhëzon më tutje pacientët”, thonë ngaMinistria e Shëndetësisë.
Pak kohë më parë në “Termini Im” u promovua mundësia e regjistrimit të kontrolleve shëndetësore për aftësinë e përgjithshme shëndetësore, të nevojshme për krijimin e një marrëdhënie pune, për aftësinë shëndetësore dhe psikofizike për aftësinë e drejtimit të një automjeti, traktori dhe makine për punë, si dhe kontrollet shëndetësore të nevojshme për përcaktimin e aftësisë për posedimin dhe mbajtjen e armëve.
Në planet e radhës është edhe një portal për punëdhënësit, për të iniciuar kontrolle për punonjësit.
Gjinekologët, nëpërmjet shoqatave të tyre, kanë propozuar prezantimin e një pjese të quajtur “Shëndeti i Grave”, ku do të evidentohen raportet nga kontrollet gjinekologjike, ekografitë e gjirit dhe mamografitë, si dhe do të ndiqet HPV statusi i secilës grua.
Në fillim të muajit mars mjekët amë kishin për detyrë që nëpërmjet të mesazheve sms t’i verifikojnë pacientët në sistem. Atëkohë mjekët amë mbajtën një protestë një orëshe në shenjë revolte për këtë risi, e cila u shkaktoi ngecje në punën e tyre.
Mjekët privatë: Prioritet janë terminet, fletëudhëzimet elektronike dhe recetat për antibiotikë
Shoqata e Mjekëve Privatë ministrit aktual të shëndetësisë, Azir Aliu, ia dorëzoi kërkesat që i konsiderojnë si prioritet që mjekët amë dhe pacientët të kenë përfitim më të madh nga shërbimet shëndetësore. Sa i përket “Termini Im”, këtu bëhet fjalë për prezantimin e fletëudhëzimit elektronik (i cili u lejua gjatë pandemisë së Covid-19), recetës elektronike për antibiotikë dhe më shumë termine tek specialistët.
“Nuk mund të hapen nga pesë termine, për shembull, në kardiologji ose reumatologji, e pastaj pacientët të dërgohen në spitalet private. Popullata jonë po plaket, ne duhet ta bëjmë më të lehtë për ata gjyshër që kanë mbetur vetëm në shtëpi, të mos vijnë për një fletëudhëzim. Fletëudhëzimet në letër duhet të hiqet plotësisht nga përdorimi”, thotë Dr. Lilija Çollakova Dervishova, kryetare e Shoqatës së Mjekëve Privatë.
Dr. Bojan Trajkovski, mjek amë, është i mendimit se do të ishte mirë që në “Termini Im” të përfshiheshin edhe kontrollet që pacientët i bëjnë në spitalet private.
“Në këtë mënyrë do të kishim një pasqyrë të plotë të shëndetit të pacientëve tanë”, thotë Dr. Trajkovski.
Sistemi bie, por më rrallë se më parë
“Disa herë deri më tani, gjatë kontrollit tim të rregullt, më ka ndodhur që të bie sistemi “Termini Im”. Sikur të mos mjaftonte që duhet të kaloj nëpër tre sportele për t’i vërtetuar udhëzimet e mia që të mund të më kontrollojë mjeku im, por më duhet të pres edhe deri në 2 orë që sistemi të funksionojë dhe të më regjistrojnë në listën e pacientëve të paraqitur. Pa e bërë këtë unë nuk mund të hyj te mjeku dhe edhe nëse ai më pranon, nëse “Termini Im” nuk funksionon ai nuk mund të më shkruajë një raport me terapinë e duhur”, thotë Marija K. nga Shkupi për përvojën e saj në Klinikën e Reumatologjisë këtë verë.
Sonja P. javën e kaluar nuk mundi të merrte barnat në farmaci për shkak se kishte rënë sistemi.
“Termini im nuk funksionon, nuk mund t’ju japim barnat, kthehuni më vonë. Kështu më thanë në të tre farmacitë ku shkova për të marrë terapinë e rregullt të babait tim, i cili ka një sëmundje kronike dhe nuk mund të shkojë vetë për t’i marrë barnat e tij. Pas dy orësh provova përsëri, por farmacistët ngritën supet dhe thanë se nuk e dinin nëse ose kur do të funksiononte. Megjithatë, pas disa orësh sistemi u kthye në funksion dhe i mora barnat, por si do ia bëjmë nëse kemi nevojë për diçka urgjente?”, thotë Sonja.
Mjekët thonë se sistemi di të bjerë, por kjo ndodh më rrallë se më parë. Ata kanë vënë re se problemi zakonisht ndodh të hënën e parë të muajit, kur bëhet një “azhurnim”, kështu që ai mund të mos funksionojë për disa orë.
Pothuajse gjysma e pacientëve nuk kanë ardhur në kontroll në terminin e caktuar
Nga ana tjetër, pavarësisht ankesave se ka pritje të gjata për termine, ”Termini Im“ еvidenton se ka një numër të madh të pacientëve të cilët nuk paraqiten për kontroll në terminet e caktuara, e as nuk i anulojnë ato që të mund të lirohet hapësirë për pacientë të tjerë.
Për shembull, në Klinikën e Gastroenterohepatologjisë nga 4.019 kontrolle të planifikuara që nga fillimi i vitit 2025, në kontroll nuk janë paraqitur 1.819 pacientë, që do të thotë se 45 përqind e pacientëve të planifikuar nuk e kanë anuluar kontrollin e tyre në kohë, tregojnë të dhënat nga “Termini Im” për Radion Evropa e Lirë (REL).
Për inçizim me rezonancë magnetike, në Spitalin Klinik – Shtip nuk janë realizur 44 përqind e kontrolleve të planifikuara.
Për inçizim me tomografi kompjuterike në Klinikën e Neurologjisë nuk janë realizuar 47 përqind e kontrolleve të planifikuara. Në Klinikën e Radiologjisë, 35% e pacientëve që kishin caktuar termine nuk kanë ardhur për të bërë inçizime me rezonancë magnetike.
Nga “Termini Im” u bëjnë thirrje pacientëve që nuk kanë mundësi të vijnë në kontrollin e caktuar ta anulojnë atë paraprakisht. Kjo mund të bëhet në disa mënyra – me një mesazh SMS në numrin e telefonit 144 – 194, me ç’rast në mesazh shkruhet numri i fletëudhëzimit, përmes aplikacionit celular “Shëndeti Im” ose përmes mjekut që ka dhënë udhëzimin.
Modeli i “Termini Im” në Maqedoni filloi më 1 janar të vitit 2012, kur ministër i shëndetësisë ishte Nikolla Todorov. Ai u zgjodh dhe u kopjua sipas sistemit shëndetësor gjerman, me qëllim që të mundësohej ndjekja e listave të kontrolleve dhe ndërhyrjeve të planifikuara në shëndetësinë publike.
Sistemin e përdorin rreth 10.000 mjekë (4.800 mjekë të mbrojtjes shëndetësore primare, 3.700 të mbrojtjes shëndetësore sekondare dhe 900 mjekë të mbrojtjes shëndetësore terciare), si dhe rreth 3.900 institucione shëndetësore.
Për vite me radhë ky projekt funksionon në disa vende evropiane si Zvicra, Italia, Suedia dhe Gjermania.