Arkitektët e Çairit: Futurizmi i Osmanit vs realizmi i Mexhitit
Për shumicën e banorëve të Çairit, “centralla” apo termocentrali në lagjet e Serovës, Gazi Babës dhe Dizhonit ka qenë sinonim i vendtakimeve, ndejave të gjata dhe, sigurisht, i shumë debateve. Dikur çajoret i takonin më të moshuarve, shahistëve dhe adhuruesve të dominosë, por me kalimin e kohës ato u pushtuan nga të rinjtë.
Por sot, përtej imazhit të çajtoreve që shpesh shihen si zëvendësim i mungesës së hapësirave moderne, Çairi vazhdon të vuajë nga dendësia e lartë urbane dhe nga mungesa e hapësirave publike. Pikërisht në këtë sfond, kandidatët për kryetar komune kanë paraqitur planet e tyre për ta ndryshuar realitetin.
Osmani dhe arkitekti futurist Rojkind
Kandidati i koalicionit të sapoformuar AKI, Bujar Osmani, në mënyrë pompoze paralajmëroi se arkitekti me famë botërore Michel Rojkind do të jetë “shkopi magjik” për transformimin e Çairit.
“Arkitekt që kombinon dimensionin social e kulturor me atë estetik, duke e parë dizajnin si instrument transformimi urban dhe përfshirjeje të komunitetit”, shkroi Osmani në rrjetet sociale, duke theksuar se angazhimi i tij garanton vizion të guximshëm dhe transformues.
Megjithatë, videoja e publikuar nga ish-ministri i Punëve të Jashtme u komentua gjerësisht si e ekzagjeruar, madje si e realizuar “sikur me AI”, duke lënë përshtypjen e një Çairi futurist, larg logjikës dhe realitetit të përditshëm të banorëve.
Mexhiti me Bajram Vardarin: Çairi si Stambolli dhe Bursa
Në anën tjetër, kandidati i VLEN-it, Izet Mexhiti, prezantoi arkitektin turk Bajram Vardar, me përvojë në projekte të mëdha urbanistike në Turqi.
“Ngjashëm me Stambollin apo Bursën, sfidat janë të ngjashme edhe këtu në Çair. Ne do të hartojmë Master Planin bashkë me qytetarët, dhe më pas planin e zbatimit,” tha Vardar në një video të publikuar nga Mexhiti. Ky paralelizëm me qytetet turke dhe proceset e tyre të transformimit krijon përshtypjen e një projekti më të prekshëm dhe më të realizueshëm për banorët e Çairit. Për më tepër, shumë prej tyre e kanë parë vetë ndryshimin urbanistik në Turqi, gjë që rrit besueshmërinë.
Arkitekti Bajram Vardar, i propozuar nga Izet Mexhiti, shihet si shpresë për rilindjen e Çairit, jo për mbiemrin që mban, por për vizionin më realist. Në këtë garë, Bujar Osmani sjell një qasje futuriste me arkitekt ndërkombëtar, ndërsa Mexhiti një plan më për toke i lidhur me përvoja konkrete. Zgjedhja mbetet mes ëndrrës futuriste dhe planit realist, dhe është në duart e çairasve. /VOXAL/