Maqedonia drejt digjitalizimit: E-fatura do të bëhet obligative nga tetori 2026
Maqedonia po hyn në një epokë të re të digjitalizimit fiskal me futjen e sistemit të e-faturës, i cili do të përfshijë të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë fatura. Projekti, që sipas Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP) pritet të nisë testimin nga fillimi i vitit 2026, do të bëhet obligativ nga 1 tetori 2026, informon PressOnline.al.
„Me energji të plotë dhe vizion të qartë – fillojmë një kapitull të ri në transformimin digjital të sistemit tatimor“, thanë nga DAP në prezantimin e projektit.
Ekspertja e tatimeve Marijana Andriq thekson se e-faturimi nënkupton kalimin nga fiskalizimi i pagesave me para në dorë tek fiskalizimi i pagesave pa para në dorë. „Ky sistem siguron regjistrim të saktë të TVSH-së dhe të ardhurave të subjekteve, duke mbyllur hapësirat për manipulime apo fshehje“, tha ajo.
Përveç përfitimeve fiskale, pritet edhe ndikim i madh ekologjik. Sipas llogaritjeve të kompanisë „Marand Konsultanti“, eliminimi i faturave në letër do të shpëtojë të paktën 12.000 drunj në vit, vetëm nga 40 mijë tatimpaguesit e regjistruar për TVSH.
Megjithëse në fillim pritet njëfarë rezistence, ekspertët besojnë se përfitimet do të jenë të menjëhershme: më pak shpenzime, më shumë efikasitet dhe komunikim i automatizuar mes biznesit dhe administratës tatimore.