Fronti i BDI-së ribrendohet në AKI, publikohet logoja e re
Koalicioni i partive opozitare shqiptare, i udhëhequr nga BDI-ja, ndyshoi emrin nga “Fronti Europian” në “Aleanca Kombëtare për Integrim” në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit.
AKI-ja ka publikuar sot edhe logon e re.
Logon e publikoi kreu i BDI-së Ali Ahmeti, i cili vlerësoi se në këto zgjedhje e gjejnë opozitën në “kohë të vështirë”.
“Jetojmë në kohë jo të lehta dhe ne shqiptarët respektohemi gjithnjë e më pak nga qeveria aktuale, e cila nuk ka legjitimitet etnik shqiptar. Por edhe pse kohët janë të vështira, ne në BDI nuk e harrojmë kurrë destinacionin europian ku duam të arrijmë. Sot nevojitet bashkim, më së pari mes gjithë shqiptarëve, që duhet të bëhen bashkë për njëri-tjetrin, por edhe mes të gjithë atyre që nuk dorëzohen lehtë dhe që besojnë se në vendin tonë mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”, publikoi Ahmeti./VOXAL/