Kallëzim penal ndaj 8 personave për përleshje masive në Dyqanxhik – njëri i dyshuar për tentim vrasje
Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur procedurë kundër tetë personave për shkak të pjesëmarrjes në një përleshje masive në rrugën “Slavej Planina”, prej të cilëve njëri akuzohet për tentim vrasjeje sipas nenit 123 paragrafi 1 lidhur me nenin 19, një tjetër për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore sipas nenit 131 paragrafi 1, ndërsa gjashtë të tjerë dyshohen për veprën penale – pjesëmarrje në përleshje, sipas nenit 132 paragrafi 1 të Kodit Penal.
Përleshja ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve familjare mes dy grupeve. Për tentim vrasjeje dyshohet një person i cili gjatë përleshjes ka përdorur një dërrasë druri me të cilën ka plagosur rëndë një nga kundërshtarët, duke i shkaktuar frakturë në kafkë dhe gjakderdhje në tru. Një tjetër i dyshuar ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor – nofull të poshtme të thyer – duke goditur me grushta një nga pjesëmarrësit e tjerë. Të gjithë të tjerët dyshohen për pjesëmarrje në përleshjen që ka ndodhur më 16 gusht.
Për të dyshuarin për tentim vrasjeje, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat nën të cilat i ka kryer veprimet dhe faktin se bëhet fjalë për një person të ri që sapo kishte mbushur 18 vjeç, por te i cili ekziston rreziku i arratisjes, ndikimit mbi dëshmitarë apo përsëritjes së veprës, prokurori publik ka propozuar masën e arrestit shtëpiak. Për pjesëmarrësit e tjerë në këtë ngjarje penalo-juridike janë propozuar masa kujdesi.