Nuk kaluan ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Sot në seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi votoi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat parashikonin që kandidatët e pavarur për këshilltarë dhe kryetarë komunash të mbledhin nënshkrime nga 0.95% e votuesve të regjistruar në listën zgjedhore të komunës ose të Qytetit të Shkupit.
Në debat komisioni, partia Levica propozoi që ky prag të ulet nga 0.95% në 0.5%. Ky amendament u pranua nga të gjithë, përveç Frontit Europian.
Në seancë plenare përfundimtare, për ndryshimet votuan 66 deputetë, ndërsa 18 ishin kundër. Por, në votimin sipas rregullit për komunitetet joshumicë, 11 votuan “pro” dhe 18 “kundër”, duke bërë që ndryshimet të mos kalojnë.
Përveç nënshkrimeve, një tjetër ndryshim parashihte edhe definimin e portaleve online sipas Ligjit për Media.
Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 19 tetor, ndërsa i dyti më 2 nëntor.