Kërkoi 16 mijë euro për të “kurdisur” vendim gjyqësor, arrestohet shkupjani
Një 59-vjeçar nga Shkupi është arrestuar pasi ka marrë 10 mijë euro, duke u shtirur se mund të ndikojë tek gjyqtarët për një proces gjyqësor. Këto para kanë qenë vetëm një pjesë e gjithsej 16 mijë eurove që ai ia ka kërkuar një biznesmeni që kishte kontest gjyqësor.
Ai i kishte kërkuar para nga biznesmeni dhe vëllait të tij, duke u thënë se “ka lidhje në gjykatë”. Fillimisht mori 5 mijë euro në prill, ndërsa gjatë marrjes së këstit të dytë prej 5 mijë eurosh u kap nga policia në flagrancë.
“Ministria e Brendshme ka ngritur kallëzim penal kundër P.G. (59) nga Shkupi, i dyshuar për veprën “marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm”. Sipas hetimeve, nga prilli deri në gusht ai ka marrë 10 mijë euro me pretendimin se mund të ndikojë në vendime të Gjykatës Themelore Civile Shkup dhe të Gjykatës së Apelit”, shpjegon Ministria e Brendshme.
Rasti ka nisur pasi një biznesmen, i cili kishte proces gjyqësor, ka dëgjuar se pala kundërshtare po korruptonte gjyqtarë. Për ta verifikuar këtë, ai është lidhur me të dyshuarin, i cili i është prezantuar si person me njohje dhe lidhje në gjykata.
Në takimin me biznesmenin dhe vëllain e tij, i dyshuari u ka kërkuar 16 mijë euro për ta mbyllur çështjen në favor të tyre. Pas marrëveshjes, më 30 prill i janë dhënë 5 mijë euro.
Më vonë, biznesmeni vendosi ta denoncojë rastin. Gjatë pagesës së dytë prej 5 mijë eurosh, i dyshuarit u arrestua menjëherë pasi i mori paratë./VOXAL/