Zjarri po i djeg pyjet në RMV, asnjë sinjal për reagim të shpejtë nga sistemi
Vetëm muajin e kaluar në Maqedoninë e Veriut janë djegur mbi 6.000 hektarë pyje ndërsa që nga fillimi i vitit pothuajse 9.000 hektarë. Zjarret, si ato të viteve të mëparshme, edhe këtë vit e kanë karakterizuar verën në vendin tonë. Temperaturat e larta, mungesa e reshjeve, si dhe aktivitetet njerëzore, në disa raste të qëllimshme, janë arsyet kryesore që malet, por edhe deponitë dhe arat po digjen, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.
Sipas të dhënave nga Ndërmarrja Publike “Pyjet Kombëtare” sezoni i zjarreve filloi në muajin mars kur janë regjistruar 44 zjarre në natyrë, duke djegur gjithsej 450 hektarë. Në muajin maj nuk është regjistruar asnjë zjarr, ndërsa në muajin qershor vetëm dy. Por, shembulli më drastik është muaji i kaluar kur 51 zjarre dogjën mbi 6.000 hektarë, pothuajse gjysma e të cilave janë në kuadër të zjarrit të madh në malin Goten, për të cilin para se të vihej nën kontroll u kërkua edhe ndihmë ndërkombëtare.
“Zona më e madhe e përfshirë, bazuar në vlerësimet e mia, është zjarri i Gotenit. Ende nuk kemi të dhëna zyrtare, por mendoj se në territorin e tre komunave ka më pak se 3.000 hektarë që nuk janë djegur plotësisht, që do të thotë se do të bëhet dokumentim shtesë mbi shkallën e dëmit. Atje u dogj kryesisht bredh, bar dhe lis i dobët i degraduar dhe presim që dëmi në aspektin e fondit të drurit të mos jetë i madh”, tha Kirill Mihaillov, zëvendës drejtor i Pyjeve Kombëtare.
Ai është i mendimit se disa nga zgjidhjet për ta zvogëluar numrin e zjarreve janë rritja e ndërgjegjësimit tek qytetarët, por edhe rregullimi i të gjithë sistemit të EVN-së për shpërndarjen e energjisë elektrike. Mihaillov thotë se, për momentin, ata po ia dalin mbanë ta mbajnë nën kontroll situatën me një numër të madh zjarresh në natyrë.
Sipas situatës aktuale edhe ky muaj do të jetë i njëjtë si ai para tij. Zjarret vazhdojnë, ndërsa zjarri në Jasen nuk është vënë nën kontroll tashmë plot katër ditë. Kapacitetet modeste të Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Pyjeve Kombëtare, si dhe burimet e Ushtrisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe njësive lokale të zjarrfikësve janë përdorur në maksimum. Nga situatat me të cilat jemi përballur vitet e fundit është e qartë se investimet në parandalim dhe mbrojtje janë minimale, gjë që reflektohet drejtpërdrejt në mundësitë për t’u përballur në mënyrë efektive me zjarret në natyrë.
Në ndërkohë vendi po përballet me dëme të mëdha. Përveç dëmit ekonomik, si humbja e sipërfaqeve pyjore dhe drurit ose ndërtesave të djegura, ka edhe dëme të mëdha në biodiversitet, humbje të habitateve të rëndësishme si ai në Parkun Ezeran, shkatërrim i florës dhe faunës, disa prej të cilave janë të rralla dhe të rrezikuara. Vetëm vitin e kaluar nga 250 zjarre u dëmtuan 61.061 hektarë ndërsa dëmet u vlerësuan në mbi 83 milionë euro. Zjarret janë edhe një kërcënim serioz për shëndetin e njeriut, jo vetëm për ata që punojnë çdo ditë për t’i shuar ato, por edhe për të gjithë, sidomos nëpërmjet ndotjes së ajrit. Edhe këtë vit nuk kishte pothuajse asnjë qytet në të cilin nuk ndihej aroma e tymit.
Edhe pse deri më tani do të duhej të kishim mësuar nga e kaluara, edhe këtë vit shumë nga masat e parapara për parandalim mbetën vetëm në letër. Në Programin planor për ajër më të pastër, 2024-2030, të cilin e promovoi zëvendëskryeministri dhe ministri i mjedisit jetësor, Izet Mexhiti, një pjesë e masave janë drejtuar pikërisht kah parandalimi i zjarreve, e me këtë edhe kah mbrojtja e ajrit.
Një nga aktivitetet e planifikuara për t’u zbatuar këtë vit është krijimi i një sistemi të rregulluar për reagim të shpejtë ndaj zjarreve në pyje, parandalimi preventiv i zjarreve dhe rritja e kapaciteteve të Pyjeve Kombëtare për reagim të parë të fuqishëm. Nga ky pritet që shumica e zjarreve të shuhen në fazën e parë, si dhe të sigurohen pamje të mënyrës se si janë krijuar zjarret, gjë që do të kishte si rezultat dënime penale për rastet e zjarrvënies së qëllimshme.
Masa e dytë është ndalesa për djegien e kashtës nga ana e fermerëve, gjë që sipas Programit planor duhet të zbatohet këtë vit dhe vitin e ardhshëm, e që parashikon angazhimin e Inspektorateve për Mjedisin Jetësor dhe Bujqësinë. Kjo praktikë deri më tani shpesh ka qenë shkak i zjarreve të mëdha, prandaj parashikohet edhe një penalizim me heqjen e subvencioneve për prodhuesit që djegin në vend që të lërojnë.
Por, të dyja këto masa për momentin mbeten vetëm në letër. Institucionet kompetente nuk kanë dhënë informacion tashmë plot dy muaj se pse nuk kanë filluar me aktivitetet. Meta.mk pothuajse dy muaj më parë dërgoi pyetje në zyrën e zëvendëskryeministrit Mexhiti në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për atë nëse ka filluar zbatimi i këtyre masave nga Programi planor, sa kohë do të duhet për t’i zbatuar ato dhe sa buxhet është parashikuar për këtë. Nga atje na udhëzuan që pyetjet t’i dorëzojmë në zyrën e tij në Qeveri. Nga atje, nga ana tjetër, na kthyen përsëri në Ministri me shpjegimin se me mediat komunikon ai kabinet. Por, edhe pasi ia dërguam të njëjtat pyetje përsëri Ministrisë dhe atë më shumë se 15 ditë më parë, ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.
Në seancën e 7 gushtit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë. Kjo, sipas shërbimit për media të Qeverisë, po bëhet me qëllim që të ofrohet ndihmë në kohë për të gjitha zonat e prekura dhe për të mbrojtur popullsinë nga elementët e zjarrit.
Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).