Kapet me 57 paketime marihuane, 23-vjeçari nga Shkupi dërgohet në paraburgim
Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nxjerrë urdhër për nisjen e hetimeve ndaj një personi për veprën penale – “Prodhimi dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, sipas nenit 215, paragrafi 1 të Kodit Penal.
I dyshuari, një 23-vjeçar, në automjetin e tij “Opel Corsa”, posedonte pa leje 57 paketime marihuane, me një masë totale rreth 72 gram, të destinuara për shitje të mëtejshme.
Automjeti ishte pronë e tij dhe qëndronte për një kohë në parkimin e bulevardit “Mitropolit Teodosij Gologanov”. Pas një denoncimi paraprak, makina ishte mbikëqyrur nga policia.
Më 27 qershor, i dyshuari iu afrua automjetit dhe, duke mos gjetur çelësat, thyeu xhamin e pasmë, nxori një qese të zezë me paketime marihuane dhe një peshore dixhitale. Ai u vërejt menjëherë nga policia, hodhi qesen dhe u largua.
Ai nuk ishte i arritshëm nga organet e ndjekjes deri më 11 gusht, kur u paraqit vetë në stacionin e policisë, gjë që sipas prokurorit publik tregon rrezikun që i dyshuari mund të shmangë ndjekjen penale duke u arratisur.
Gjithashtu, ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun që ai të përsërisë veprën penale, ndaj prokurori publik ka dorëzuar në gjykatë propozim për caktimin e paraburgimit.