Dy incidente me paraglajdistë në Krushevë – të aktivizuara ekipet e shpëtimit dhe evakuimit mjekësor
Sot, pranë Meçkin Kamen në Krushevë, ndodhën dy incidente me paraglajdistë.
Në rastin e parë, një paraglajdist gjatë një fluturimi individual dhe gjatë përpjekjes për t’u ulur, u ngatërrua në një pemë me lartësi rreth pesë metra dhe nuk mund të zbresë në tokë në mënyrë të sigurt. Menjëherë u realizua koordinim me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, me qëllim dërgimin e një ekipi të specializuar për shpëtim në vendngjarje.
Në rastin e dytë, në të njëjtën zonë, një tjetër paraglajdist gjatë fluturimit ra dhe pësoi lëndime të rënda trupore, me gjakderdhje të madhe, gjë që u konfirmua nga ekipi mjekësor tashmë i pranishëm. Për shkak të seriozitetit të lëndimeve, u kërkua transport mjekësor urgjent me helikopter drejt Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup për trajtim të mëtejshëm.
Qendra për Menaxhim me Kriza, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, kërkoi që helikopteri Bell 412, i cili ishte angazhuar në shuarjen e një zjarri në zonën e Jasenit, të ridrejtohet menjëherë drejt Meçkin Kamen – Krushevë. Helikopteri është në lëvizje drejt vendngjarjes dhe po merren të gjitha masat e nevojshme për një ndërhyrje të shpejtë dhe të sigurt.
QMK apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në sportin e paraglajdit që t’i respektojnë protokollet e sigurisë dhe të jenë maksimalisht të kujdesshëm gjatë kryerjes së fluturimeve.
Drejtor i QMK
Muhamed Ali