
Deri më 15 shtator të gjitha makinat zyrtare do të kenë targa të verdha
Të gjitha institucionet shtetërore dhe personat juridikë publikë kanë për obligim që, më së voni deri më 15 shtator 2025, t’i zëvendësojnë targat e automjeteve zyrtare me targa të reja, speciale me ngjyrë. Kjo është vendosur në seancën e sotme të Qeverisë, me iniciativë të drejtorit të Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Ivica Tomovski.
Qëllimi i kësaj mase është i qartë: rritja e transparencës, llogaridhënies dhe vendosja e kontrollit në përdorimin e automjeteve zyrtare. Shënjimi i automjeteve do t’u mundësojë qytetarëve t’i dallojnë lehtësisht nga ato private, duke parandaluar kështu keqpërdorimin e tyre për qëllime personale, private apo partiake.
Në periudhën në vijim do të hapet edhe një linjë telefonike në të cilën qytetarët do të mund të raportojnë përdorim të parregullt të automjeteve zyrtare. Çdo raportim do të regjistrohet dhe do të trajtohet në përputhje me procedurat ligjore.
Në fazën përfundimtare është edhe hartimi i një regjistri qendror për të gjitha automjetet zyrtare, i cili do të sigurojë kontroll dhe pasqyrë shtesë në përdorimin e tyre.
Me këtë vendim përmbushet edhe një premtim kyç – menaxhim i përgjegjshëm me burimet shtetërore dhe llogaridhënie e plotë ndaj publikut. Shteti dërgon një mesazh të qartë se burimet publike janë për përdorim publik, e jo për përfitim personal.
Përmes vendosjes së një sistemi për kontroll dhe pasqyrë publike, vendosen standarde më të larta të integritetit dhe përgjegjësisë në punën e të gjitha institucioneve.