53 raste me ethet e Nilit Perëndimor në RMV, pesë viktima, publikohet raporti
Numri i rasteve të etheve të Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 53, ndërsa pesë pacientë kanë humbur jetën, bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Sipas të dhënave më të fundit, 50 raste janë të konfirmuara, ndërsa tre të tjera janë të dyshuara. Këta pacientë janë të shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive, ndërsa 52 nga gjithsej rastet kanë zhvilluar formën neuroinvazive të sëmundjes.
Deri më tani, 25 pacientë janë shëruar dhe janë lëshuar për trajtim në shtëpi. Aktualisht, në Klinikën për Sëmundje Infektive po trajtohen 21 pacientë, prej të cilëve gjashtë ndodhen në kujdes intensiv.
Klekovski njoftoi gjithashtu se është përditësuar udhëzimi për mjekët specialistë dhe mjekët amë, me theks të veçantë te pacientët që marrin terapi imunosupresive.
Në ndërkohë, autoritetet kanë vazhduar aktivitetet për luftimin e mushkonjave. Në Shkup ka përfunduar raundi i katërt i spërkatjes kundër mushkonjave të rritura, ndërsa ndërhyrje shtesë janë kryer në disa zona të identifikuara si më të rrezikuara.
Spërkatje të jashtëzakonshme janë realizuar, mes tjerash, në Kisela Vodë, përfshirë Draçevën, në zonën e kanaleve në Gazi Babë, si dhe në Zelenikovë, Studeniçan, Butel dhe Gjorçe Petrov.
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë vënë në dispozicion edhe një platformë të posaçme informative, ku publikohen të dhënat për situatën epidemiologjike, zonat me rrezik dhe masat parandaluese që po ndërmerren.
Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ekziston një trajtim specifik antiviral, ndërsa mjekimi fokusohet në lehtësimin e simptomave. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të marrin masa për t’u mbrojtur nga pickimet e mushkonjave, duke përdorur repelentë, rrjeta mbrojtëse dhe duke eliminuar ujin e ndenjur pranë banesave, ku mushkonjat shumohen.