Rreth 3 mijë filloristë më pak, mbi 200 shkolla me një ndërrim: Nis viti shkollor për 238 mijë nxënës
Nesër, më 1 shtator, nis viti i ri shkollor 2026/2027 për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut.
Mësimi do të zhvillohet deri më 10 qershor, ndërsa për maturantët viti shkollor përfundon më 17 maj, njoftoi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Sipas ministres, këtë vit tekstet shkollore janë siguruar dhe shpërndarë në kohë. Janë blerë gjithsej 622 mijë tekste shkollore, ndërsa sipas saj janë kursyer rreth 50 milionë denarë krahasuar me periudhën para marrjes së detyrës së saj.
Tekste tërësisht të reja janë siguruar për nxënësit e klasave të para, të dyta dhe të treta, për klasën e tetë, si dhe për vitin e dytë të gjimnazit.
Mbi 238 mijë nxënës, rreth 15 mijë janë filloristë
Vitin e ri shkollor do ta nisin rreth 174 mijë nxënës të arsimit fillor dhe 64 mijë nxënës të arsimit të mesëm.
Në klasën e parë deri tani janë regjistruar 14.952 nxënës, por kjo shifër ende nuk është përfundimtare, pasi regjistrimet plotësuese do të vazhdojnë deri në fund të shtatorit.
Krahasuar me vitin shkollor 2025/2026, kur në klasë të parë ishin regjistruar 17.921 nxënës, këtë vit pritet të ketë të paktën 3.000 filloristë më pak.
Për shkak të mungesës së nxënësve, përkohësisht do të mbyllen 26 shkolla rajonale, ndërsa me optimizimin e rrjetit shkollor janë hequr 433 paralele – 222 në arsimin fillor dhe 211 në atë të mesëm.
Ministrja Janevska theksoi se asnjë mësues i punësuar me kontratë të rregullt nuk është larguar nga puna si pasojë e këtyre ndryshimeve.
Më shumë shkolla me mësim në një ndërrim
Një nga ndryshimet që pritet të ndikojë drejtpërdrejt te nxënësit dhe prindërit është zgjerimi i mësimit në një ndërrim.
Këtë vit, mësimi në një ndërrim është vendosur në 620 nga gjithsej 1.023 objekte shkollore, ndërsa po zgjerohet kapaciteti i 14 shkollave në Shkup dhe Gradsko.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur se mbi 200 shkolla tashmë e kanë pranuar dhe zbatuar konceptin e mësimit në një ndërrim. Në disa shkolla të tjera po zhvillohen punime ndërtimore për zgjerimin e kapaciteteve.
Për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore këtë vit janë angazhuar 1.358 asistentë në arsimin fillor dhe 166 në arsimin e mesëm.
Ndërkohë, punonjësit në arsim pritet të marrin një rritje të re të pagave në mars të vitit 2027, prej 7,5 deri në 10 për qind, në varësi të normës së inflacionit.
Por përveç përgatitjeve për vitin e ri shkollor, të dhënat nxjerrin në pah edhe një problem më të gjerë demografik.
Në dekadën e fundit, sipas analizave të Qendrës për Komunikime Qytetare, numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm në vend është ulur me rreth 27 mijë.
Kjo prirje reflektohet edhe në numrin gjithnjë e më të vogël të fëmijëve që regjistrohen në klasën e parë, duke paraqitur një nga sfidat kryesore për sistemin arsimor në vitet e ardhshme.