Fosili i T-Rex u shit për 50.1 milionë dollarë, shkencëtarët paralajmërojnë: Po humbim një trashëgimi të pazëvendësueshme
Një nga skeletet më të ruajtura të Tyrannosaurus rex, i njohur me emrin “Gus”, u shit më 14 korrik 2026 në një ankand të organizuar nga Sotheby’s për 50.1 milionë dollarë amerikanë, duke vendosur një rekord si fosili më i shtrenjtë i shitur ndonjëherë.
Sipas një analize të publikuar në The Conversation, ky rast ka rikthyer debatin mbi fatin e fosileve me rëndësi shkencore, pasi ekspertët paralajmërojnë se ato po shndërrohen gjithnjë e më shumë në objekte luksi për koleksionistët privatë, në vend që të ruhen në muze dhe institucione kërkimore.
Paleontologët theksojnë se fosilet nuk janë thjesht objekte ekspozimi apo vepra arti. Ato përmbajnë informacione unike për evolucionin, zhdukjen e specieve, sëmundjet, lëndimet dhe ekosistemet e Tokës miliona vjet më parë. Për këtë arsye, humbja e qasjes në një fosil të tillë mund të kufizojë ndjeshëm kërkimet shkencore të së ardhmes.
Skeleti “Gus” u zbulua në formacionin Hell Creek në Dakotën e Jugut gjatë viteve 2021–2024 nga koleksionisti komercial Thomas Heitkamp dhe ekipi i tij.
Shkencëtarët argumentojnë se vlera e një fosili nuk përfundon me zbulimin apo publikimin e tij. Përkundrazi, rëndësia e tij rritet me zhvillimin e teknologjisë. Metoda moderne si skanimet me CT, analizat izotopike dhe studimet molekulare kanë bërë të mundur zbulimin e informacioneve të reja në fosile që janë gjetur më shumë se një shekull më parë.
Falë këtyre teknikave, studiuesit kanë arritur të rindërtojnë strukturën e trurit të dinosaurëve, mënyrën si dëgjonin, nuhasnin dhe lëviznin, dietën e tyre, temperaturën e trupit, modelet e migrimit, ritmin e rritjes, madje edhe elemente të ngjyrës së lëkurës dhe pendëve.
Ekspertët paralajmërojnë se kur fosilet përfundojnë në koleksione private, qasja e studiuesve nuk është më e garantuar. Edhe në rastet kur pronarët i huazojnë përkohësisht muzeve, ata mund ta ndërpresin këtë qasje në çdo moment.
Sipas një studimi të vitit 2025, në atë kohë ekzistonin 61 fosile të Tyrannosaurus rex në institucione publike, ndërsa 71 ndodheshin në pronësi private, një tregues se një pjesë e madhe e këtij trashëgimie natyrore tashmë është jashtë kontrollit të komunitetit shkencor.
Shoqata e Paleontologjisë së Vertebrorëve (Society of Vertebrate Paleontology) kërkon prej vitesh që fosilet me rëndësi shkencore të ruhen në muze dhe universitete, ku mund të konservohen përgjithmonë, të studiohen nga brezat e ardhshëm dhe të jenë të aksesueshme për publikun.
Sipas autorit të analizës, blerja e një fosili për ta dhuruar menjëherë në një muze është krejtësisht ndryshe nga blerja për koleksion privat. Në rastin e parë zgjerohet qasja në dije, ndërsa në të dytin ajo mbetet e pasigurt.
Me rritjen e çmimeve në dhjetëra milionë dollarë, shumë muze nuk kanë më mundësi financiare të konkurrojnë në ankande, duke bërë që fosilet më të rëndësishme të përfundojnë gjithnjë e më shpesh në tregun e koleksioneve luksoze. Burimi: The Conversation, përcolli VOXAL.