BDI dhe Izet Mexhiti akuzojnë njëri-tjetrin për miliona
Përplasjet mes Bashkimit Demokratik për Integrim dhe kryetarit të Çairit Izet Mexhititi janë ashpërsuar, me akuza të rënda nga të dyja palët për korrupsion, keqpërdorim dhe manipulim politik. Nga BDI akuzojnë Mexhitin se përfaqëson një model të vjetër të politikëbërjes dhe se është pasuruar në kurriz të qytetarëve të Çairit, ndërsa tani përpiqet të paraqitet si alternativë e re politike. Nga ana tjetër, kampi i Mexhitit, përmes koalicionit VLEN, i ka hedhur poshtë këto akuza, duke i cilësuar si “shpifje të vjetra” dhe pjesë e një fushate për të ruajtur ndikimin politik. Sipas tyre, BDI nuk mund të pranojë humbjen e monopolit politik dhe për këtë arsye sulmon Mexhitin. Në reagimin e tyre, VLEN akuzon drejtues të BDI-së, përfshirë Bujar Osmanin, Blerim Bexhetin dhe Arbër Ademin, se synojnë rikthimin e praktikave të vjetra nga të cilat, sipas tyre, kanë përfituar politikisht dhe ekonomikisht.
“Izet Mexhiti, promotori i nepotizmit brutal në politikën shqiptare. Njeriu që u bë milioner duke e varfëruar Çairin, sot mundohet të shitet si ndryshim, por qytetarët e dinë të vërtetën: Struktura e tij politike funksionon me të njëjtën logjikë si klanet mafioze, besnikëri familjare, interesa personale dhe kontroll përmes njerëzve klanit, thuhet në reagimin e BDI-së ndaj kumtesës së sotme të VLEN-it, të cilin MIA e transmeton në mënyrë itnegrale. Për më shumë se 20 vite, ai dhe klani i tij uzurpuan përfaqësimin e shqiptarëve në Shkup dhe ia shkatërruan të ardhmen një gjenerate të tërë të të rinjve të Shkupit. Ndërkohë, po rritet vetëm pasuria dhe ndikimi i tij personal”, shkruajnë nga BDI.
Ndërkohë nga partia shqiptare në pushtet VLEN thonë se BDI-së i pengon Izet Mexhiti, sepse ai, së bashku me popullin, i dërgoi në histori dhe e theu monopolin e tyre 20-vjeçar të shantazheve, shkruan në reagimin e VLEN.
“Le ta mbajnë mend mirë: Izet Mexhiti nuk është produkt i intrigave nëpër zyre dhe përkëdheljeve nga Ali Ahmeti. Ai e merr legjitimitetin e tij drejtpërdrejt nga zëri i shqiptarëve, nga terreni dhe nga çdo mëhallë në Çair, si dhe në mbarë vendin. Ndërsa Izet Mexhiti është mes popullit të vet, punon në projekte dhe udhëheq politika kombëtare, klika e BDI-së – Bujar Osmani, Blerim Bexheti dhe Arbër Ademi, ëndërrojnë rikthimin e kaosit nga e cila përfituan më së shumti. BDI është simbol i së kaluarës, i Mijallkovit si “partner i artë” dhe i Budapestit si adresë shpëtimi. VLEN është forca e ndryshimit që më 9 maj bashkohet në një fortesë çeliku për t’i dhënë fund modelit të vjetruar politik të Ahmetit. Më 9 maj, përgjigjja do të jetë përfundimtare. Koha e pandëshkueshmërisë për “të paprekshmit”, shërbëtorë të Mijallkovit, ka marrë fund”, shkruajnë nga VLEN.