Prokuroria po heton disa raste të izoluara të shkeljeve zgjedhore në disa qytete të vendit
Prokuroritë publike gjatë gjithë ditës e kanë ndjekur nga afër procesin zgjedhor dhe kanë reaguar ndaj çdo njoftimi për dyshime mbi vepra penale të lidhura me zgjedhjet. Nga Prokuroria Themelore Publike njoftojnë se numri i rasteve të tilla është i vogël në nivel shtetëror, ndërsa për secilin prej tyre tashmë janë ndërmarrë veprime për hetim të plotë.
Në rajonin e Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit janë evidentuar disa raste:
• Në Çashkë (fshati Sogle), Prokuroria e Velesit po heton dy persona për dyshime mbi blerje votash dhe korrupsion zgjedhor.
• Në Kriva Pallankë, po ashtu është hapur hetim për blerje të mundshme të votuesve.
• Në Kumanovë dhe Kratovë, Prokuroria po verifikon dy raste të ndikimit përmes telefonit ndaj votuesve.
• Në Çair, janë ndaluar dy persona që kanë refuzuar të identifikohen në vendvotim, ndërsa në Gazi Babë janë regjistruar dy raste të fotografimit të fletës së votimit, që përbëjnë kundërvajtje.
Në rajonin e Prokurorisë së Lartë Publike të Manastirit, janë regjistruar raste në Krushevë dhe Ohër:
• Në Krushevë, Prokuroria e Prilepit po heton dyshime për blerje votash, ndërsa në Ohër, pas ndalimit të një automjeti me tre persona ku janë gjetur bankënota prej 2.000 denarësh dhe lista të mundshme të votuesve, po zhvillohen hetime për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Në rajonin e Shtipit, deri tani nuk ka raportime zyrtare me shkrim për vepra penale zgjedhore. Megjithatë, Prokuroria e Sveti Nikollës po ndjek një rast të dyshuar për blerje votash, ndërsa hetimet në Shtip dhe Koçan lidhur me presione ndaj votuesve nuk kanë konfirmuar shkelje.
Në rajonin e Gostivarit, përkatësisht në Tetovë dhe Kërçovë, prokuroritë kanë hapur lëndë pas raportimeve mediatike për shkelje të heshtjes zgjedhore në Kërçovë dhe Zhelinë. Prokuroria e Kërçovës po heton gjithashtu parregullsi gjatë votimit të një personi të sëmurë në Makedonski Brod, ndërsa në Tetovë është hapur rast për shkelje të fshehtësisë së votimit, pasi në rrjete sociale është shpërndarë fotografi e një fletëvotimi.
Nga Prokuroria theksojnë se bëhet fjalë për raste të izoluara, të cilave u jepet përparësi për zbardhje të menjëhershme./VOXAL/