
Zjarri në Vizbeg, Prokuroria nisi procedurë për ndotje të mjedisit jetësor
Prokuroria Themelore Publike Shkup në koordinim me SPB Shkup – Njësia për Krime Ekonomike dhe Kompjuterike nisi një procedurë kundër dy personave fizikë dhe një personi juridik për vepër penale – Rrezikim i mjedisit jetësor dhe ambientit me mbeturina sipas nenit 230 të Kodit Penal.
Pas veprimeve të ndërmarra me urdhër të prokurorit publik, policia sot ngriti kallëzim penal kundër pronarit dhe pronarit joformal të personit juridik nga Shuto Orizari. Personat në fjalë për një periudhë të gjatë kohore, në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Menaxhimin e Mbeturinave dhe në kundërshtim me rregulloret për mbrojtjen e mjedisit ruanin një sasi të madhe metali të vjetër, mbeturina elektronike, pjesë të makinave të vjetra, automjete të vjetra dhe gjëra të tjera në një vend për të cilin nuk kishin leje përkatëse për menaxhimin e mbeturinave.
Kujtojmë se më 9 korrik u shkaktua një zjarr i pakontrolluar, dhe për shkak të vëllimit dhe rrezikut, zjarri nuk mund të vihej menjëherë nën kontroll. Gjatë djegies së materialit të mbeturinave, në ajrin ambiental u lirua tym, hi dhe gazra të dëmshëm dhe u shkaktua një rrezik më i madh për jetën dhe shëndetin e njerëzve. Me kërkesë të prokurorit publik, menjëherë pas ngjarjes, Njësia e Mbrojtjes Atomike, Biologjike dhe Kimike e Ushtrisë kreu matje dhe zbulim të kontaminimit kimik dhe toksik industrial, duke përcaktuar një nivel të rritur të ndotjes. Gjatë procedurës para-hetimore, Njësia për Krim Ekonomik dhe Kompjuterik e Shërbimit Shtetëror të Mjedisit Shkup tashmë ka ndërmarrë një numër të madh veprimesh me urdhër të prokurorit publik, të cilat përfshijnë sigurimin e të gjithë dokumentacionit të punës së personit juridik dhe provave të tjera.
Prokurori publik kompetent do të vazhdojë të ndërmarrë veprime në periudhën në vijim, duke marr në pyetje persona dhe duke urdhëruar ekspertizë përkatëse për një hetim të plotë të ngjarjes.