Zjarri në Trubarevë, Instituti i Shëndetit Publik del me rekomandime për mbrojtje nga ndotja
Instituti i Shëndetit Publik, me rekomandime për mbrojtjen e shëndetit nga ndotja, pas zjarrit në Trubarevë.
Nga Instituti, rekomandojnë që në zonat ku ka rrezik nga ajri i ndotur, të qëndrohet brenda dhe të mbyllen dritaret dhe dyert, veçanërisht në afërsi të vendeve ku ka zjarre aktive si dhe në zonat kah të cilat era e shpërndan tymin.
“Të fiken sistemet e ventilimit dhe klimatizimit që thithin ajër nga jashtë, për të parandaluar depërtimin e tymit dhe ndotësve në hapësirat e brendshme” thonë nga Instituti.
Nga atje rekomandojnë të ndiqen rregullisht informacionet zyrtare dhe përditësimet mbi cilësinë e ajrit, ndërsa personave me sëmundje respiratore, fëmijëve të vegjël, të moshuarve dhe grave shtatzëna u këshillojnë të shmangin çdo aktivitet në ambiente të hapura.
” Në rast domosdoshmërie për lëvizje jashtë, në zonat që janë në afërsi të vendeve të prekura nga zjarret, të përdoren maska të përshtatshme” theksojnë nga IShP.
Institucioneve për kujdesin e të moshuarve u rekomandohet të ndërmarrin masa për të minimizuar ekspozimin e kësaj grup-moshe të ndjeshme në ambiente të hapura. Ndërsa bëjnë thirrje, të kihet kujdes ndaj simptomave si kollë, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje koke ose irritim i syve, hundës dhe fytit.
“Çdokush që vëren këto simptoma duhet të kërkojë menjëherë ndihmë mjekësore”
Nga Instituti theksojnë më tej se nevojitet, shmangia e kontaktit ose afrimit te mbeturinat nga zonat e prekura derisa të jepet leje zyrtare për qasje, si dhe bëjnë thirrje, që të respektohen të gjitha udhëzimet nga institucionet e shëndetit publik dhe shërbimet e urgjencës, si dhe udhëzimet për evakuim nëse rekomandohen nga institucionet kompetente.
Këto masa kanë për qëllim të ulin rreziqet e menjëhershme shëndetësore dhe të sigurojnë mbrojtjen e komunitetit.