Vrau babain dhe tentoi ta fshehë, por dikush e denoncoi
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gostivar, ku një mosmarrëveshje familjare ka përfunduar me vrasje brenda familjes.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore Publike, një 33-vjeçar dyshohet se ka vrarë me dashje të atin në lagjen Dutlok dhe më pas është përpjekur të fshehë gjurmët e krimit. Për rastin është lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore për veprën penale “vrasje”, sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 2 të Kodit Penal.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti të mëparshëm mes babait dhe të birit, i cili ka eskaluar në dhunë fizike.
“Ngjarja ka ndodhur në lagjen Dutlok të Gostivarit, ku 33-vjeçari, gjatë një konflikti familjar në shtëpi, me vetëdije e ka privuar nga jeta babanë e tij. Sipas njoftimit të Prokurorisë, konflikti ka nisur për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme midis tyre, pas të cilave i dyshuari e ka sulmuar fizikisht babanë, duke e goditur me duar dhe me objekte të forta metalike, duke i shkaktuar lëndime të rënda që kanë sjellë vdekjen e tij.”, shkruan në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas hetimeve fillestare, pas kryerjes së krimit, i dyshuari është përpjekur të fshehë provat duke e larë trupin e viktimës dhe duke e përgatitur për varrim, me qëllim që ta paraqesë rastin si vdekje natyrale.
Rasti është zbuluar falë një denoncimi anonim nga një numër telefoni i huaj, pas së cilës policia dhe prokurori publik kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer inspektimin.
“Pas ngjarjes, i dyshuari ka tentuar të fshijë gjurmët, e ka larë dhe e ka përgatitur trupin për varrim. Megjithatë, rasti u zbulua përmes një njoftimi anonim nga një telefon i huaj, dhe menjëherë në vendngjarje ka dalë policia, ndërsa hetimin e ka kryer edhe prokurori publik dhe është urdhëruar obduksioni.”, kanë shpjeguar nga Prokuroria Themelore Publike.
Prokurori publik i ka propozuar gjykatës caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit mbi dëshmitarët dhe mundësisë për fshehje të provave./VOXAL/