
VOXAL Analizë: Sa do të jenë rrogat e kryetarëve të komunave në Shkup?
Sa do të jenë rrogat e kryetarëve të komunave pasi të marrin mandatin pas zgjedhjeve lokale të 19 tetorit? Pa përllogaritur stazhin, kryetari i Qytetit të Shkupit, nga fillimi i vitit të ardhshëm do të marrë rrogë prej 159.285 denarë (2.587 euro), ndërsa kryetarët e komunave Aerodrom, Gazi Baba, Karposh dhe Çair do të marrin rreth 146.370 denarë (2.378 euro) secili, pa llogaritur stazhin, një shumë që është e ndryshme për secilin kryetarë.
Në Shkup, sipas analizës së VOXAL rrogën më të ulët prej 116.235 denarë (1.888 euro) e marrin kryetarët e komunave rurale, Sopishtë dhe Zelenikovë.
Koeficientët për përcaktimin e rrogave të kryetarëve të komunave dhe për kryetarin e qytetit të Shkupit janë nga 2.70 deri në 3.70. Koeficientët shumëzohen me rrogën mesatare neto nga viti i kaluar dhe në vitin 2025 ato arrijnë në rreth 43,050 denarë.
Sipas Ligjit për Pagat dhe Kompensimet e Tjera të Deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe Personave të Tjerë të Zgjedhur dhe të Emëruar në Republikë, koeficientët për kryetarët e komunave përcaktohen sipas numrit të banorëve, si më poshtë:
– për kryetar të komunës me deri në 10.000 banorë, koeficienti 2.70
– për kryetar të komunës me 10.001 deri në 25.000 banorë, koeficienti 2.90
– për kryetar të komunës me 25.001 deri në 50.000 banorë, koeficienti 3.20
– kryetar të komunës me mbi 50.000 banorë, koeficienti 3.40
– kryetar të Qytetit të Shkupit, koeficienti 3.70
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë dhe familjeve të kryer nga Enti Shtetëror i Statistikës, komuna me popullsinë më të madhe në Qytetin e Shkupit është komuna e Aerodromit (77.735), komuna e Gazi Babës (69.626), komuna e Karposhit (63.760), e ndjekur nga komuna e Çairit (62.586), komuna e Kisella Vodës (61.965), komuna e Qendrës (43.893), komuna e Gjorçe Petrovit (44.844), komuna e Butelit (37.968), komuna e Sarajit (38.399), komuna Shuto Orizare (25.726), komuna e Studeniçanit (21.970), komuna e Ilindeni (17.435), komuna e Haraçinës (12.676), komuna e Sopishtes (6.713), komuna e Zelenikovës (3.361).
Duke llogaritur koeficientin e përcaktuar me ligj sipas numrit të banorëve, shihet se pagën më të lartë nga kryetarët e lartpërmendur pa llogaritur stazhin e tyre e merr kryetari i Qytetit të Shkupit, rreth 159,285 denarë (2.587 euro).
Ndërsa kryetarët e komunave të Shkupit; Aerodrom, Gazi Baba, Karposh dhe Çair me numrin më të madh të banorëve, pa llogaritur stazhin e tyre, marrin rrogë prej rreth 146.370 denarë ( 2.378 euro).
Kryetarët e komunave Qendër, Gjorçe Petrov, Butel, Saraj dhe Shuto Orizare, sipas llogaritjeve me koeficientin e tyre prej 3.20, rrogat e tyre pa llogaritur stazhin, nga vit i ardhëshëm do ta kenë 137.760 denarë (2.238 euro).
Kryetarët e komunave me popullsi më të vogël si Ilindeni, Studeniçani dhe Haraçina marrin rrogë të llogaritur me një koeficient prej 2.90 dhe sipas llogaritjes së re, pa llogaritur stazhin e tyre në punë, ata marrin rrogë prej 124.845 denarë (2.028 euro) secili.
Rrogat më të ulëta i marrin kryetarët e komunave të Sopishtes dhe Zelenikovës, komuna me popullsinë më të vogël dhe për këtë arsye koeficienti për llogaritjen e rrogave është më i ulëti në krahasim me kryetarët e tjerë të komunave, pra 2.70, dhe rrogat e tyre arrijnë në rreth 116.235 denarë (1.888 euro) pa llogaritur stazhin në punë, e cila është e ndryshme për secilin në varësi të viteve të punës./VOXAL/
Gazetar: Nexhmedin Shaqiri
