VLEN mban kongresin e parë më 9 maj, do ketë dy kryetarë
Kreu i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, ka bërë të ditur se kongresi i parë i këtij subjekti politik do të mbahet më 9 maj, ndërsa përgatitjet tashmë kanë hyrë në fazë intensive.
Sipas Kasamit, grupet e punës janë duke u koordinuar për hartimin e programit, platformës dhe statutit të partisë, dokumente që do të përcaktojnë mënyrën e funksionimit të VLEN-it në periudhën e ardhshme.
Ai theksoi se një nga risitë kryesore të organizimit do të jetë modeli drejtues, për të cilin ka një dakordim fillestar që partia të udhëhiqet nga dy kryetarë, si dhe të ketë dy nënkryetarë, dy sekretarë të përgjithshëm dhe struktura të tjera organizative si sekretariate.
“Në këtë fazë po punohet intensivisht në përgatitjen e dokumenteve bazë që do të përcaktojnë parimet e funksionimit të partisë”, deklaroi Kasami.
Bashkimi i partive shqiptare në kuadër të VLEN-it është paralajmëruar prej muajsh. Më 7 mars 2026, në Kosovë, liderët e subjekteve u takuan me kryeministrin Albin Kurti, duke dhënë sinjale se procesi i bashkimit po shkon drejt finalizimit.
Në këtë koalicion përfshihen Lëvizja Demokratike, Lëvizja BESA, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, të cilat më herët kanë marrë vendime për shkrirjen e organeve të tyre partiake në funksion të krijimit të një subjekti të përbashkët politik.