VLEN i theu të gjitha bastionet e BDI-së
Sipas rezultateve të fundit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, koalicioni VLEN ka shënuar fitore të thellë duke marrë drejtimin e gjithsej 10 komunave shqiptare në mbarë vendin.
Në raundin e dytë, kandidatët e VLEN-it kanë dalë fitues në Tetovë, Bogovinë, Dibër, Strugë dhe Dollnen, duke mbyllur me sukses betejën elektorale kundër kandidatëve të BDI-së në disa prej bastioneve të saj tradicionale.
Kështu, bashkë me fitoret e arritura që në raundin e parë në Çair, Saraj, Haraçinë, Tearcë dhe Zhelinë, VLEN ka arritur të konsolidojë një bazë të gjerë pushteti lokal në komunat me shumicë shqiptare, duke e përmbysur dominimin shumëvjeçar të BDI-së.
Nga ana tjetër, BDI apo koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim ka arritur të ruajë vetëm katër komuna rurale, duke fituar në Studeniçan në raundin e dytë, ndërsa në raundin e parë kishte siguruar fitore në Çashkë, Pllasnicë dhe Likovë.
Ky rezultat konsiderohet si një ndër ndryshimet më të mëdha politike në nivel lokal në dekadën e fundit, ku për herë të parë pas më shumë se 20 vitesh, BDI humb shumicën e komunave të mëdha shqiptare.
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale 2025 (komunat shqiptare)
| Nr. | Komunat e fituara nga VLEN | Komunat e fituara nga BDI (AKI) |
| 1. | Tetovë | Studeniçan |
| 2. | Bogovinë | Çashkë |
| 3. | Dibër | Pllasnicë |
| 4. | Strugë | Likovë |
| 5. | Dollnen | – |
| 6. | Çair | – |
| 7. | Saraj | – |
| 8. | Haraçinë | – |
| 9. | Tearcë | – |
| 10. | Zhelinë | – |
/VOXAL/