VLEN: Bujar Osmani pranon takimet me Gruevskin, shqiptarët meritojnë përgjigje
Bujar Osmani pranoi me gojën e vet se ka pasur takime me Nikolla Gruevskin në Budapest, tha deputetja e koalicionit VLEN, Merita Koxhaxhiku.
“Këto ditë jemi dëshmitarë të një deklarate skandaloze nga Bujar Osmani, një person që për më shumë se dy dekada ka keqpërdorur besimin e shqiptarëve. Ai publikisht refuzoi të mohojë – pra, në mënyrë të tërthortë pranoi – se është takuar me Nikolla Gruevski, një i arratisur dhe person i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha deputja Koxhaxhiku.
Sipas saj, kjo është dëshmia më e qartë që BDI nuk është një parti e reformuar, por një grup interesash që manipulojnë me ndjenjat kombëtare dhe aspiratat evropiane të popullit shqiptar për interesa të ngushta personale dhe partiake.
Ajo i parashtroi edhe disa pyetje publike Bujar Osmanit.
“Prej kur takimet e një ministri të jashtëm me persona që janë në listën e zezë amerikane janë të klasifikuara si sekret shtetëror?
A janë raportuar këto takime në Prokurorinë Publike dhe Ministrinë e Brendshme?
Cili është interesi pas këtij komunikimi të fshehtë?”, pyet VLEN.
Ata thonë se shqiptarët presin përgjigje, jo heshtje, ndërsa kujtojnë se sipas tyre, ndihma për arratisjen e Gruevskit ishte vepër e BDI-së, bashkë me Ligjin për amnisti për Sasho Mijallkovin.
“Të gjitha këto i shohim si shenjë të dëshpërimit të një elite të korruptuar që e di se koha e saj po mbaron. BDI e ka shndërruar politikën në treg dhe në biznes, ndërsa shqiptarët i ka bërë peng të marrëveshjeve të tyre me të arratisur nga drejtësia dhe kriminelë. VLEN është këtu për të rikthyer politikën e pastër, për të garantuar transparencë dhe për t’i dhënë fund kësaj hipokrizie. Qytetarët meritojnë përgjegjësi, jo marrëveshje të fshehta me njerëz që e kanë plaçkitur shtetin”, thotë VLEN.