VLEN: “Badenteri nuk preket”, akuza ndaj BDI-së dhe thirrje për mobilizim më 19 tetor
Koalicioni VLEN ka publikuar një komunikatë ku thekson se parimi i Badenterit është “i paprekshëm”, duke e quajtur atë hallkë kyçe të Marrëveshjes së Ohrit dhe themel të rendit të ri kushtetues në Maqedoninë e Veriut. Sipas VLEN-it, çdo përpjekje për ta “relativizuar” ose për ta përdorur si “mburojë politike” është hipokrizi.
Në deklaratë, VLEN akuzon BDI-në se për dy dekada ka “shkelur dhe shpërfillur” zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë përfaqësimin e drejtë e adekuat, trajtimin e gjuhës dhe përdorimin e “Balancuesit” për punësime partiake. “BDI nongrata nuk ka kredibilitet të flasë për Marrëveshjen e Ohrit,” thuhet në komunikatë.
VLEN po ashtu thekson se qeveria aktuale ka sjellë në jetë hallkën kryesore të Marrëveshjes së Ohrit përmes Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke garantuar që shqiptarët dhe komunitetet e tjera të kenë “zërin e tyre real” në institucionet e shtetit. “Ky është dallimi midis nesh dhe BDI-së: ne po i japim jetë marrëveshjes,” theksohet në tekst.
VLEN bën thirrje për mobilizim në 19 tetor, me pretendimin se elektorati do të “vulosë mbrojtjen e Badenterit dhe Marrëveshjes së Ohrit” dhe do të “eliminojë BDI-në nga pushteti lokal”, duke e akuzuar këtë të fundit për “korrupsion, dështim dhe tradhti ndaj shqiptarëve”.