43 raste me ethe të Nilit Perëndimor, edhe një shpend i infektuar
Në Maqedoninë e Veriut deri më tani janë regjistruar gjithsej 43 raste të etheve të Nilit Perëndimor, ndërsa një korb i ngordhur i gjetur në Shkup është konfirmuar si i infektuar me virusin. Këtë e bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në një konferencë për media.
Sipas Klekovskit, 40 raste janë konfirmuar përfundimisht, ndërsa tre janë konfirmuar me një test. Rastet e para janë evidentuar në komunat e Shkupit, Qendër dhe Çair.
“Që nga konferenca e fundit për media e deri më tani janë regjistruar dy raste të reja në Qendër, një në Çair dhe një në Aerodrom, në kufi me pjesën rurale. Pasqyra klinike është standarde dhe nuk ka ndryshime në këtë aspekt”, deklaroi Klekovski.
Në kuadër të monitorimit të shpendëve, është identifikuar edhe shpendi i parë i ngordhur me virusin e Nilit Perëndimor. Bëhet fjalë për një korb të gjetur në Shkup.
“Shpendët e ngordhur mblidhen nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, pas së cilës bëhet identifikimi i mëtejshëm i zonave me rrezik nga ethet e Nilit Perëndimor”, tha ministri, duke falënderuar qytetarët që raportojnë rastet e shpendëve të ngordhur.
Klekovski njoftoi se para konferencës kishte zhvilluar takim me kryetarët e komunave të Shkupit dhe të Rajonit të Shkupit për identifikimin e zonave me rrezik të lartë. Ai theksoi se identifikimi është i rëndësishëm pasi mushkonjat nuk njohin kufijtë administrativë të komunave.
Aktualisht janë identifikuar 34 zona me rrezik, prej të cilave 13 konsiderohen me rrezik të lartë.
Dy kriteret kryesore për përcaktimin e rrezikut janë prania e ujit të ndenjur dhe niveli i lartë i lëndës organike. Ndër zonat me rrezik të lartë janë kanalet e ujitjes në Fushën e Shkupit dhe pjesët e qeta të lumenjve.
Sipas ministrit, ndër zonat problematike janë pjesë të Seravës në Haraçinë dhe Butel, kanalet në Jurumleri, Stajkovc dhe Singeliq në Gazi Babë, kanali kryesor në Ilinden, kanalet në Draçevë, Batincë dhe Studeniçan.
Në kategorinë e zonave me rrezik të lartë janë përfshirë edhe gropat septike, ndërsa rrezik paraqesin edhe varrezat, për shkak të ujit të ndenjur në vazot e luleve dhe pranisë së lëndës organike, si dhe deponitë e gomave të vjetra.
Klekovski paralajmëroi se burime rreziku mund të jenë edhe objekte dhe vende të vogla, si hidrantët e prishur, vazot e luleve të mbajtura jashtë, fuçitë e vjetra ku grumbullohet uji i shiut, çezmat publike të dëmtuara dhe ujitja jo e duhur e parqeve.
Ministri siguroi se spërkatja kundër mushkonjave kryhet me preparate të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe se ato nuk paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve.