Vjosa Osmani mandaton Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë së Kosovës
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, pasi mandatari Albin Kurti nuk arriti që të marrë votat e nevojshme për votimin e propozimit të tij për Qeveri.
“Sot në përputhje me Kushtetutën dhe tre aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, kam mandatuar zotëri Glauk Konjufcën kandidat tjetër për kryeministër. Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër Glauk Konjufca me të cilin sapo e përfundova takimin, kanë besim të plotë se mund të arrijnë votat e nevojshme. Por, kjo ju takon atyre. Mua më takon që të bindem që kanë gjasa. Dhe mua më kanë bindur që kanë gjasa”, deklaroi presidentja Osmani gjatë paraqitjes së jashtëzakonshme para opinionit.
Presidentja Osmani kujtoi se zvarritja prej afro një viti për formimin e Qeverisë së re po e dëmton rëndë gjithë aparatin shtetëror dhe nga kjo zvarritje mund të pësojnë seriozisht qytetarët. Kandidati për kryeministër ka 15 ditë në dispozicion për të siguruar të paktën 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës./VOXAL/