(VIDEO)Po digjet fabrika e mbetjeve elektronike në Shkup
Pamje dhe fotografi shqetësuese vijnë nga terreni në fshatin Trubarevë të Shkupit, ku aktualisht po përhapet një zjarr i madh që ka përfshirë objektet e F–GRUPACIONIT, i cili merret me mbeturina elektronike. Re të mëdha tymi të zi ngrihen mbi kryeqytet dhe shihen nga disa lagje të Shkupit.
Në shuarjen e zjarrit janë përfshirë një numër i madh ekipesh nga Brigada e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit, një helikopter i MPB-së, një helikopter i ARM-së, si dhe një “air tractor” për ndihmë shtesë nga ajri.
Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Muhamed Ali, deklaroi se zjarri është raportuar në orën 13:38 përmes numrit unik për thirrje emergjente 112.
– Gjatë ditës, në orën 13:38, përmes numrit unik për thirrje emergjente 112 u raportua zjarr në një stallë të destinuar për ruajtjen e materialeve elektrike të mbeturinave. Zjarri për një kohë të shkurtër shkaktoi tym të dendur të zi dhe u përhap edhe në disa objekte përreth – tha Ali.
Ai shtoi se menjëherë ka vendosur koordinim me shërbimet e krizës dhe i ka informuar institucionet përkatëse për gjendjen në terren.
– Nga operatori EVN u kërkua ndërprerje e menjëhershme e energjisë elektrike, me qëllim që të mundësohet shuarja e sigurt e zjarrit, përfshirë edhe me përdorimin e mjeteve ajrore – theksoi drejtori i QMK-së.
Në terren janë angazhuar gjashtë automjete zjarrfikëse nga Brigada Territoriale e Zjarrfikësve të Shkupit me më shumë se dhjetë zjarrfikës, si dhe automjete të specializuara të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
– Në shuarje po marrin pjesë një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme, një helikopter i Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe një “Air Tractor” i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Në terren janë dërguar edhe ekipe të ndihmës së shpejtë – deklaroi Ali.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit, Zvonko Tomevski, për mediat konfirmoi se në terren po punojnë disa ekipe dhe po bëhen përpjekje për të lokalizuar zjarrin.
– Ka një zjarr të madh në Trubarevë, janë përfshirë materiale të mbeturinave, po shuhet me disa ekipe – tha Tomevski.
Ndërkohë, Brigada e Zjarrfikësve ka arritur ta shuajë zjarrin që më herët kishte shpërthyer pranë ish–Cementares në rrugën “Gornovranovska” në Gorno Lisice, por tani gjithë kapacitetet janë përqendruar në flakët në Trubarevë.
Deri më tani nuk ka informacione për të lënduar apo për dëme materiale, ndërsa më shumë detaje pritet të bëhen të ditura gjatë ditës./VOXAL/