
Vetingu si lavatriçe parazgjedhore
Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Arbër Ademi ka dalë me një kërkesë për veting të partive politike si dhe verifikim dhe kontrollim të pasurisë të gjithë bartësve të funksioneve publike nga themelimi i Maqedonisë së Veriut. Kërkohet edhe mbikëqyrje ndërkombëtare e këtij procesi në të cilin do të shqyrtohej edhe privatizimi, po edhe veprimtaria e organeve të sigurisë së shtetit.
“Kërkojmë që të mbështetet propozimi i BDI-së për veting me mbikëqyrje ndërkombëtare, një proces gjithpëfshirë dhe i pa kompromis që do të kthejë besimin e të gjithë qytetarëve në drejtësi dhe institucione. Ritheksojmë vendimin tonë të kahershëm për hetim ndaj të gjitha partive politike pa përjashtim në 33 vitet e fundit”, ka deklaruar Arbër Ademi.
Veting apo shpërlarje parazgjedhore?
BDI-ja, para thuajse çdo cikli zgjedhor në vitet e fundit, ka trumbetuar idenë e vetingut. Në vitin 2020, në programin e tyre zgjedhor, kishin shtuar konkretisht se si e paramendojnë vetingun apo kontrollimin e pasurisë së partive dhe funksionarëve shtetëror.
Në faqen 57-të të programit zgjedhor 2020–2024, BDI-ja shkruante se do të imponojë Vetingun si politikë që nënkupton kontrollin e dyfishtë të gjithsecilit që merr rolin e shërbyesit publik, çdo politikani, prokurori dhe gjykatësi.
“Kontrolli i parë siguron integritetin dhe transparencë maksimale të secilit pretendent dhe ushtrues detyre publike duke mbledhur, analizuar dhe botuar të gjitha informacionet dhe të dhënat për secilin pretendent dhe bartës aktual të funksionit publik në mënyrë që qytetarët ose organi që e propozon, zgjedh apo emëron bartësin e funksionit, të vlerësojnë integritetin dhe dinjitetin e bartësit ose kandidatit duke ulur mundësinë për korrupsion, krim, keqpërdorim të detyrës dhe rrënim të autoritetit dhe imazhit të institucionit. Kontrolli i dytë nënkupton zbatimin e vetingut nëpërmjet marrjes së masave institucionale pas konstatimit të parregullsive, mospërputhjeve midis të ardhurave dhe pronës si dhe diskrepancave në karrierë gjatë kontrollit të parë ndaj kandidatëve dhe bartësve të funksioneve publike, prokurorëve dhe gjykatësve”, shkruan në program.
Por, çfarë në fakt kishte në dorë BDI-ja gjatë gjithë këtyre viteve?
“Integristët” fituan mandat të plotë në vitin 2020, duke pasur madje edhe kryeministrin në fund të mandatit.
Pra, partia kishte të gjitha instrumentet për të filluar një proces të vetingut: shumicë parlamentare, qasje në hartimin e ligjeve, ndikim në Këshillin Gjyqësor, dhe kontroll mbi institucionet përkatëse që do të mundësonin filtrimin e figurave problematike në sistem. Por, edhe pas këtij mandate dhe pas 20 viteve në pushtet, BDI-ja jo vetëm që nuk e bëri vetingun, por e riaktulizon atë para çdo cikli zgjedhor, vetëm me fjalë dhe fjalime ditore politike.
Shpërfillja e “vetingut” të Kalasë
Ndërsa BDI-ja po përpiqet ta rikthejë sërish në temë vetingun para zgjedhjeve, një “veting” jozyrtar tashmë ka ndodhur: Lista e Zezë amerikane.
SHBA-ja shpalli person non-grata kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merkon, ndërsa më vonë edhe ish-zv/kryeministrin e parë, Artan Grubin.
Ramiz Merko vazhdon të jetë kryetar komune i BDI-së, ndërsa shihet shpesh pranë Ali Ahmetit në aktivitetet partiake. Pra, shpërfillje skandaloze e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ahmeti gjithashtu nuk u distancua kurrë nga Grubi, edhe pas arratisjes së tij nga drejtësia e vendit.
Tani kur si opozitë BDI-ja tenton ta rikthejë vetingun si flamur politik, duke kërkuar me forcë atë që vetë nuk e ndërmori kur ishte në pozita vendimmarrëse, rrjetet sociale përkujtojnë edhe bisedat e përgjuara, që dëshmuan ndikimin politik te gjyqësori, nëpërmjet figurave që vazhdojnë të jenë deputetë të BDI-së, si Blerim Bexheti.
Ferikan Iljazi Arifi